Deputeti i PD-së, Shehu i bën thirrje Kuvendit: Të njihet gjenocidi serb

12:59, 19/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Duke u nisur nga dëshmia tronditëse e Gjeneralit Wesley Clark në Hagë, deputeti I PD-së Tritan Shehu ka ngritur zërin në Kuvendin e Shqipërisë, duke kërkuar një reagim të fortë dhe të unifikuar. Ai theksoi se konfirmimi nga Clark i planeve të Millosheviçit për të eliminuar popullsinë shqiptare në Kosovë është prova përfundimtare e gjenocidit dhe nuk lë më vend për heshtje.


“Gjenerali Clark në Hagë deklaroi dhe faktoi qartësisht gjenocidin serb ndaj Kosovës, ndaj popullit kosovar, kur konfirmoi thënien e Millosheviçit se do t'i vriste shqiptarët. Unë mendoj se dëshmi më të qartë, më të plotë për të konfirmuar atë gjenocid nuk mund të ekzistojë. Të nderuar kolegë, unë nuk dua të hyj në debate dhe në përplasje politike sepse sot kërkoj mbështetjen e të gjithëve.

Në nderin e të gjithëve, në nderin e Kuvendit të Shqipërisë, në nderin e Shqipërisë, për një të vërtetë të madhe historike e cila lidhet dhe fatkeqësisht po lidhet përsëri me zhvillimet aktuale duke tentuar të akuzohet Kosova, UÇK-ja për krime lufte, për krime ndaj njerëzimit, kur e kundërta ka ndodhur në të vërtetë, ashtu siç konfirmoi qartësisht.

Gjenerali Clark pak ditë përpara. Në një situatë të tillë, mbasi ky kuvend në mënyrë ma absurde, pa dashur të bëj debat, rrëzoi rezolutën tonë për gjenocidin serb në Kosovë, unë mendoj se duhet të shprehet. Të gjejmë një mënyrë të shprehemi së bashku. Të gjejmë një mënyrë për të konfirmuar së bashku këtë të vërtetë historike, të gjejmë një mënyrë për të mbështetur atë thënie të madhe të Gjeneralit Clark, për të mbështetur luftën e popullit të Kosovës, UÇK-në dhe në këtë mënyrë për të ndihmuar dhe ata që padrejtësisht sot po mbahen në burgun e Hagës”

Deputeti argumentoi se është momenti që politika shqiptare të lërë mënjanë ndasitë dhe të bashkohet në mbështetje të së vërtetës historike. Kjo thirrje vjen në një kohë kritike, ku lufta e drejtë e UÇK-së po vihet në dyshim dhe liderët e saj përballen me akuza në po atë gjykatë të Hagës ku po dëshmohet për krimet e Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco