Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, deputeti Klevis Balliu foli mbi buxhetin e shtetit dhe u shpreh se transparenca dhe burimet e këtij “buxheti më të madh në histori” po vihen në dyshim.
Ai theksoi se rritja e shifrave financiare duket të jetë e bazuar kryesisht në taksat mbi qytetarët shqiptarë, ndërsa investimet strategjike duket se përfitojnë individë të paidentifikuar, pa kriter të qartë. Balliu ngriti shqetësime për projekte konkrete, si investimi 45 milionë euro për një hotel në Ksamil, duke paralajmëruar se pas këtyre mund të fshihen lidhje kriminale dhe interesa të privilegjuar.
Ai sfidoi gjithashtu përdorimin selektiv të statistikave nga Eurostat, duke theksuar se 55% e shqiptarëve e kanë të vështirë të mbyllin muajin financiarisht, një të dhënë që bie në kontrast me narrativën triumfaliste të qeverisë për rritje dhe prosperitet. Sipas Balliut, kjo tregon një mospërputhje të thellë mes propagandës qeveritare dhe realitetit ekonomik të qytetarëve.
Deklarata:
Zoti ministër, unë kam një pyetje duke iu referuar edhe deklaratave që kanë bërë kolegët tuaj edhe kryeministri. Ky është buxheti më i madh në histori të vendit. Këtë buxhet që e keni rritur kaq shumë dhe këto para që i keni mbledhur kaq shumë, nga i keni marrë? Ka ndonjë burim tjetër qeveria përveç taksave që paguajnë shqiptarët? Në qoftë se është buxheti më i madh, keni marrë më shumë taksa se ç'keni marrë vjet. Apo keni ndonjë burim tjetër? Nga ka ardhur ky buxhet kaq i madh i qeverisë?
Pyetja e dytë. Në lidhje me ëh këto investitorët strategjikë dhe këto investimet që i bëjnë pa paguar gjë. Kemi dhe një nga rastet më të fundit ku një person i paidentifikuar ndonjëherë në Shqipëri si ndonjë biznesmen, ka marrë në, është bërë investitor strategjik, jo shumë kohë më parë, për ndërtimin e një hoteli 45 milionë euro në Ksamil. Këto investitorë strategjikë, keni ndonjë kriter nga vijnë? Se kemi patur dhe raste të tjera si Pllumb Gjoka që dalin pastaj që janë të inkriminuar, kanë lidhje me vrasje, me drogë dhe me shumë afera të tjera.
Dhe pyetja e fundit. Dëgjova kryeministrin që u referua Eurostat-it. Nuk e di nëse e keni informuar gabim apo jo, po Eurostat-i deklaron që 55% e shqiptarëve mezi mbyllin muajin. Ju i referoheni këtyre shifrave saktësisht apo thjesht i fshehim këto shifra dhe apo kryeministri thjesht nuk kupton. Faleminderit.
© SYRI.net