‘Idiotët e dobishëm', Cami për qeverisjen Rama: E sheh parlamentin si Hitleri dikur, të panevojshëm

09:03, 19/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, përkthyesi Edvin Cami foli mbi qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama ndaj parlamentit dhe mënyrën se si ai e koncepton ushtrimin e pushtetit. Në diskutim u shpreh se Rama e sheh parlamentin si një institucion të panevojshëm, madje të dëmshëm, duke e krahasuar këtë qasje me perceptimin që Adolf Hitleri kishte dikur për parlamentet.

Cami theksoi se kjo nuk ndalet vetëm te nënvlerësimi i parlamentit, pasi sipas tij Rama është rrethuar në qeveri nga njerëz “politikisht fëmijë” apo “idiotë të dobishëm”, me qëllim shmangien e përgjegjësisë dhe të drejtësisë, duke ua deleguar firmat dhe vendimmarrjen të tjerëve. Ai përmendi raste konkrete, ku vendime të Këshillit të Ministrave janë nënshkruar sistematikisht nga zëvendëskryeministri, ndërsa më pas përgjegjësia bie mbi figura të dorës së dytë që përfundojnë nën hetim apo në burg.

Cami paralajmëroi se ky model i vazhdueshëm qeverisjeje krijon pasoja afatgjata në shoqëri, duke e krahasuar me modelin e “njeriut të ri” të komunizmit, i cili ende ndikon te brezat, madje edhe te të rinjtë që idealizojnë të shkuarën pa e njohur atë. Ai argumentoi se mënyra se si po prezantohet politika sot po prodhon një “post-njeri të ri” edhe më të dëmshëm, i cili i hap rrugën rikthimit të modeleve autoritare, ndërkohë që vendi ka mbetur pa bazë teknike, pa prodhim dhe pa matematikë.

Pjesë nga deklarata:

Unë gjykoj se vlerësimi i shokut Rama për parlamentin është pak a shumë ai vlerësim që kishte Adolf Hitleri dikur, i cili thoshte se parlamenti është një mbledhje kot ku zihen disa njerëz dhe vetëm sa na prishin imazhin, ndaj s’duhet. Madje, në një rast kur i pohojnë se ka mënjanuar gratë nga jeta politike, nga parlamenti, nga gjithçka, ai tha: “Ç’është ajo fjalë? Ne nga parlamenti kemi mënjanuar jo vetëm gratë, por edhe burrat, sepse nuk gjykojmë që ai është një vend në të cilin ia vlen të… po, patjetër. Krejt pa domosdoshmëri, madje përkundrazi, është i dëmshëm sepse na prish punë.”

Shoku Rama kështu, pak a shumë, e sheh parlamentin, por unë do të shkoja përtej parlamentit: do të thosha se ai, kudo, edhe në qeverinë e tij, është rrethuar në vazhdimësi nga, po themi, “fëmijë”, politikisht fëmijë njerëz, ca gra dhe ca “fëmijë”, domethënë nga ata që nuk kanë pasur lidhje. Kjo nuk është thjesht dëshirë për të ndryshuar një sistem. Kjo shkon përtej nevojës për një republikë presidenciale. Kjo është nevojë për t’i ikur drejtësisë. Duhet të ketë njerëz të tjerë që marrin përgjegjësi për të, njerëz të tjerë që firmosin.

Kemi vendimet e Këshillit të Ministrave që janë firmosur nga zëvendëskryeministri, në vazhdimësi. Dhe në fund fare, ja po e shikojmë tani që njëri pas tjetrit këta shkojnë: dikush hetohet, dikush shkon në burg. Dhe për të gjithë thuhet se kanë ngrënë dardha pas krahëve të tij. Pra, për këtë arsye i duhen gjithmonë këta “idiotët e dobishëm”. Pikërisht, që nga parlamenti e deri në qeveri.

Në vazhdimësi, ashtu sikurse në të shkuarën partia na krijoi “njeriun e ri”, që la pasoja edhe në edukimin e brezave më vonë, sepse brezat e edukuar në atë kohë me dashurinë për partinë më pas vazhduan, rezistojnë edhe sot dhe vazhdojnë të edukojnë brezat e rinj. Kam studentë 18 vjeç që më thonë se në kohën e shokut Enver ka qenë më mirë. “Po ju nga e dini?” “E dimë sepse na ka thënë gjyshi, gjyshja, mami, babi.”

Aktualisht edhe kjo që po i bëjmë shoqërisë me këtë prezantim politik është “post-njeriu i ri”, le të themi, që është edhe më i dëmshëm akoma, sepse po i hap rrugën rikthimit në të ardhmen. Po, në anën teknike, le të themi, mundi që të… Tashmë s’kemi as anën teknike. Tashmë s’kemi asgjë: as prodhim, as matematikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco