Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sërish se Shqipëria është e gatshme që të heqë dorë nga e drejta e VETOS, në mënyrë që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Gjatë Forumit të Zgjerimit të BE-së, që u zhvillua në Bruksel, Rama shkoi edhe më tej kur deklaroi se Tirana zyrtare është e gatshme që të heqë dorë edhe nga e drejta për të pasur komisioner europian. Nga Komisioni Europian nuk ka asnjë qëndrim zyrtar rreth këtyre propozimeve. Brukseli ka bërë të ditur se rruga e Shqipërisë drejt BE-së varet nga realizimi i reformave të kërkuara.
Syri TV
Që prej 1 muaji, Kryeministri Rama vijon të përsërisë se Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e Bashkimit Europian edhe nëse Tiranës zyrtare do i duhet të heqë dorë nga e drejta e vetos, të cilën e gëzojnë 27 vendet anëtare të unionit. Gjatë forumit të zgjerimit të BE-së, që u organizua në Bruksel nga Komisioni Europian, Kryeministri Rama shkoi edhe më tej. Ai tha se Shqipëria është e gatshme që të heqë dorë edhe nga e drejta për të pasur komisioner europian.
Këto qëndrime të Kryeministrit Rama po përsëriten vazhdimisht gjatë javëve të fundit duke ngritur disa pikëpyetje për të cilat ende nuk ka përgjigje. Nuk është ende e qartë nëse Kryeministri Rama po u vetëofrohet vendeve europiane duke pranuar të heqë dorë nga këto 2 të drejta shumë të rëndësishme vetëm që Shqipëria të bëhet anëtare apo ky është një propozim që i është bërë Ramës pas dyerve të mbyllura në Bruksel dhe shefi i qeverisë shqiptare po e paraqet si ide të veten. Fakt është se nga Komisioni Europian nuk ka asnjë qëndrim publik ndaj kësaj çështje.
I vetmi dokument zyrtar i dalë nga Brukseli lidhur me Shqipërinë, është progres raporti, i cili është i mbushur me kritika ndaj qeverisë shqiptare për nivelin e lartë të korrupsionit, shkeljet e rënda në zgjedhjet e 11 Majit, mungesën e kontrollit të Parlamentit ndaj qeverisë, sjelljen shtypëse të pushtetit ndaj opozitës, ndërhyrjet e Kryeministrit Rama në autonominë e pushtetit vendor dhe një sërë problematikash të tjera. Mesa duket Kryeministri Edi Rama është i vetëdijshëm se mbyllja e kapitujve është një mision i pamundur për qeverisjen e tij dhe kërkon që ti lehtësojë vetes rrugën përmes propozimeve të tilla, implementimi i të cilave do të kërkojë minimalisht dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare.
© SYRI.net