Pak orë pasi Edi Rama ishte shtrirë në një divan për të pozuar për një gazetë holandeze, duke ‘lëshuar’ alarmin se Rusia rrezikon sigurinë e Europës, mediat e Vendeve të Ulëta do postonin si lajm kryesor një hetim të frikshëm.
8 shqiptarë ishin arrestuar pasi kishin planifikuar vrasjen e kryeprokurorit të Brukselit, Julien Moinil.
Detajet për këtë ngjarje të rëndë kanë rrjedhur me pikatore, për shkak të rëndësisë së hetimit, por ato që kanë publikuar mediat e Vendeve të Ulëta deri tani janë tronditëse.
Gazeta ‘Le Soir’ shkruan se qëllimi i mafies shqiptare ishte të terrorizonte mbarë Europën me këtë vrasje. Kurse disa portale thonë se grupi kishte bërë gati armën me të cilën do ekzekutonte Prokurorin e Mbretit.
Mediat shkruajnë se mafia shqiptare ishte tërbuar me prokurorin e guximshëm, të cilin mediat eurpoiane e kanë krahasuar me Batmanin. Muaj më përpara është raportuar se për ‘kokën’ e tij ishte vendosur një shumë prej 1 milion eurosh nga kartelet shqiptare.
Disa media shkruajnë se kërcënimi lidhet me një dosje që ka kaluar në duart e kryeprokurorit të Brukselit. Edhe pse është e vështirë të konfirmohet, komploti lidhet me një mega-proces gjyqësor ndaj mafies shqiptare, ku ‘Batmani’ kërkoi një dënim prej 740 vitesh në total.
Ky mega-proces është etiketuar SKY ECC për shkak të zbërthimit të telefonave të enkriptuar.
Pikërisht nga ky zbërthim ka dalë edhe një tjetër dosje, shumë e bujshme, por edhe shumë e frikshme. Ajo është quajtur ‘Shqiponja e zezë’ (Black Eagle) nga autoritetet hetimore belge.
Bëhet fjalë për një grup mafioz shqiptar që ka pastruar shumë të mëdha parash nga trafiku i kokainës. Dosja voluminoze përmban të dhëna që kanë ardhur nga agjencitë hetimore italiane, spanjolle, gjermane dhe franceze.
E gjitha kjo rrjetë merimange mbahet në këmbë falë parajsës që ka ngritur Edi Rama në Shqipëri, një narkoshtet ku pastrimi i parave vetëm sa e fuqizon krimin e organizuar që i turret Europës dhe arrin deri në pikën aty që mund të rrezikojë sigurinë e saj.
Nuk është aspak çudi që në një nga deklaratat e pakta publike, kryeprokurori belg Moinil u shpreh para pak ditësh se mafia shqiptare po pastron shuma kolosale parash në Shqipëri.
Ky paralajmërim shokues i tij vjen si një ogur i zi pikërisht në ditën kur Vendet e Ulëta, por edhe mbarë Europa, po reflektojnë për ‘monstrën’ që po i kërcënon.
I vetmi që nuk duket i shqetësuar nga divani i tij është ai që e ka krijuar ‘monstrën’. Frankenshtajni shqiptar. Edi Rama.
© SYRI.net