Instituti Konservator Shqiptar (IKSh) ka publikuar sot analizën e plotë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026, duke ngritur alarmin se vendi po hyn në vitin e ardhshëm me një model ekonomik të paqëndrueshëm, të mbështetur kryesisht te ndërtimi, shërbimet dhe qarkullimi i parave të pista, ndërsa sektorët prodhues, bujqësia, industria dhe kapitali njerëzor vijojnë të tkurren.
Në raportin “Analizë e Buxhetit të Shtetit për Vitin 2026 – Një Analizë mbi Situatën Aktuale, Prioritetet, Trendet dhe Rreziqet Strukturore”, IKSh paralajmëron se projektbuxheti i vitit të ardhshëm jo vetëm që nuk adreson sfidat strukturore të ekonomisë, por i thellon ato përmes një modeli që favorizon konsumin, PPP-të, tenderat publikë dhe rritjen e administratës, ndërkohë që emigracioni masiv, rënia e prodhimit dhe përkeqësimi i klimës së biznesit po dobësojnë themelet e zhvillimit afatgjatë të vendit.
Studimi i Buxhetit:
Instituti Konservator Shqiptar (IKSh) publikon sot analizën e plotë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026, “Analizë e Buxhetit të Shtetit për Vitin 2026 – Një Analizë mbi Situatën Aktuale, Prioritetet, Trendet dhe Rreziqet Strukturore”.
Raporti arrin në përfundimin se Shqipëria po hyn në vitin 2026 me një ekonomi të mbështetur mbi ndërtim e shërbime dhe paratë e pista që kanalizohen në to, siç e shpreh raporti për klimën e investimeve i Departamentit të Shtetit, dhe raporti i DASH për trafikimin e narkotikëve, si dhe media kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa prodhimi, eksportet, bujqësia, industria dhe kapitali njerëzor janë në tkurrje të vazhdueshme. Ne shprehim shqetësimin e thellë se ky që është ngritur në Shqipëri është një model i paqëndrueshëm ekonomik, i cili do të sjellë pasoja tejet negative nëse nuk ndalet. Ky buxhet thjesht vazhdon në të njëjtën rrugë, duke përkeqësuar edhe më shumë situatën.
Sipas analizës, mbi 60% e rritjes së PBB-së në 2025 vjen nga konsumi familjar dhe administrata publike, ndërsa bujqësia dhe industria janë në recesion prej vitesh, çka tregon një model ekonomie të varur nga shteti dhe jo nga sektori prodhues.
Në të njëjtën kohë, sipas EUROSTAT, rreth 1.1 milionë shqiptarë janë larguar gjatë dekadës së fundit, duke dobësuar fuqinë punëtore, sistemin e pensioneve dhe perspektivën e rritjes afatgjatë.
Projektbuxheti 2026, me të ardhura 823 mld lekë, shpenzime 886.8 mld lekë dhe deficit 63.7 mld lekë (rreth 2.3% e PBB-së), paraqitet nga Qeveria si “buxheti më i madh në histori”, por IKSh thekson se kemi të bëjmë me rritje nominale, jo me rritje reale të mirëqenies. Edhe pse taksat janë dy dhe trefishuar nga viti 2013, si përqindje e PBB, të ardhurat vazhdojnë mbeten në të njëjtat nivele si përpara 2013.
Shpenzimet publike ngjiten në rreth 31.9% të PBB-së, por rritja fokusohet te PPP dhe tendera publikë, që në të kaluarën kanë qenë ,me kosto shumëfish më të lartë edhe se në vendet më të pasura të Europës, paga, administrata dhe konsumi, ndërsa investimet produktive reale bien si pasojë e inflacionit në ndërtim.
Raporti ynë paralajmëron se ulja e deklaruar e borxhit publik në 53.6% të PBB-së është kryesisht efekt i kursit të këmbimit dhe jo rezultat i uljes reale të ngarkesës së borxhit; ndërkohë, faturat e interesave, PPP-të dhe detyrimet nga arbitrazhet po rrisin në heshtje barrën mbi taksapaguesit. Ne vlerësojmë se ky nuk është një buxhet për qytetarët apo sipërmarrjet shqiptare, por për PPP-të, tenderat publike dhe fryrjes së administratës.
IKSh nënvizon se klima e biznesit po përkeqësohet: vlerësimi i investitorëve të huaj për klimën e biznesit ka rënë në 45/100, sipas FIAA, ndërkohë OECD na vendos të fundit në Europë për klimën e biznesit, korrupsioni i perceptuar është rritur, ndërsa sistemi gjyqësor, prokurimet publike dhe zbatimi i ligjit konsiderohen më problematikë se një vit më parë. Asnjë nga këto elementë nuk adresohet në këtë buxhet. Nga ana tjetër, sipas INSTAT, 20% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme, ndërsa 41% janë në kushtet e përjashtimit shqiptar. Rreth 40% e shpenzimeve për një familje mesatare shkon për ushqime bazë (vs. 10-12% në vendet e BE), ndërkohë ushqimet janë rritur 30% në tre - katër vitet e fundit.
Në fushën e rendit dhe sigurisë, buxheti 2026 parashikon rreth 2.01% të PBB-së për “Rendin dhe Sigurinë Publike”, por pjesa dërrmuese e shpenzimeve është për paga dhe mirëmbajtje, me investime minimale në logjistikë, teknologji dhe hetim modern, në një kohë kur raportet ndërkombëtare e renditin Shqipërinë me nivelin më të lartë të krimit të organizuar në rajon.
Situata në shëndetësi dhe arsim, të dyja shumë larg 5% të premtuar vite më parë, përshkruhet si alarmante: shpenzimet për shëndetësi për frymë janë shumë më të ulëta se mesatarja rajonale dhe europiane, kostot individuale nga xhepat e qytetarëve janë ndër më të lartat, ndërsa skandalet si onkologjiku apo koncensionet që janë përpara drejtësisë vazhdojnë, teksa vdekshmëria foshnjore është pothuajse katër herë më e lartë se në BE. Një shqiptar sot jeton mesatarisht 7 vite më pak se një qytetar i Bashkimit Europian.
Arsimi rezulton me përkeqësim të vazhdueshëm në testet PISA dhe me financim minimal për kërkimin shkencor (rreth 0.08% të PBB-së), duke e lënë Shqipërinë në fund të Europës për inovacion dhe ekonomi të dijes.
IKSh thekson se ky buxhet është një mundësi e humbur për reformë të thellë: ai nuk ndryshon filozofinë nga konsum në prodhim, nga shtet në treg, nga afatshkurtër në strategjik, por thellon krizën demografike, ekonomike dhe sociale.
Përpara se të jetë tepër vonë, Instituti propozon një ridrejtim rrënjësor të buxhetit drejt:
-rigjallërimit të bujqësisë dhe industrisë;
-uljes së barrës së taksave mbi prodhimin;
-rritjes së investimeve në shëndetësi, arsim dhe kërkim;
-forcimit të rendit, sigurisë dhe luftës pa kompromis ndaj karteleve dhe pastrimit të parave
© SYRI.net