Blushi: Narkokomisari Ilir Proda të shkarkohet, vegël e bandave dhe dekonspirues i aksioneve të Policisë

Blushi: Narkokomisari Ilir Proda të shkarkohet, vegël e bandave dhe dekonspirues i aksioneve të Policisë

16:17, 18/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një deklaratë për media, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi kërkoi shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, të cilin e akuzon për keqmenaxhim, dekonspirim të operacioneve policore dhe tolerim të kriminalitetit. Blushi e lidh emrin e Prodës edhe me ngjarjen e 21 tetorit, që ai e cilëson si rrëmbim të paligjshëm ndaj kreut të PL, Ilir Metës, duke theksuar se ky veprim është dënuar nga opinioni publik, miq ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe Avokati i Popullit.

Sipas tij, shkeljet procedurale të evidentuara në atë operacion përbëjnë precedent të rëndë për shtetin e së drejtës dhe cenim të standardeve evropiane. Partia e Lirisë kërkon largimin e menjëhershëm të Ilir Prodës nga detyra dhe thërret organet e drejtësisë të mos e amnistojnë për veprimet që, sipas tyre, kanë pasoja serioze për rendin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve.

Deklarata e Tedi Blushit:

Pretendimi kriminal i Narkodrejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, se rrëmbimi mafioz i Presidentit të Partisë së Lirisë Meta nga narkobanditët e maskuar dhe të armatosur rëndë në 21 tetor të vitit të kaluar, nuk ishte një veprim arbitrar, nuk është gjë tjetër veçse konfirmim i fytyrës së vërtetë të një kryebanditi, që drejton sot Policinë e Shtetit dhe që meritë të vetme ka mosarrestimin e 251 drejtuesve dhe anëtarëve të bandave më të rrezikshme kriminale në vend.
Vetëm për një delinkuent të vërtetuar si dekonspirues i aksioneve të policisë, që mision parësor ka garantimin e imunitetit dhe moskapjes së elementëve më të rrezikshëm kriminalë, mund të konsiderohet si normale ai rrëmbim i paligjshëm i Z. Meta, që u dënua jo vetëm nga opinioni publik por edhe nga shumë miq të huaj e të sinqertë të Shqipërisë që duan përparim në raport me respektimin e të lirivë e të drejtave të njeriut e sidomos të Konventës Europiane.
Mashtrimi publik para Kuvendit të Shqipërisë, sikur gjoja Presidenti Meta ka bërë rezistencë gjatë arrestimit është në fakt një vepër penale e përsëritur për të cilin Ilir Proda është amnistuar edhe më herët nga SPAK pas kallëzimin penal që i bëri Partia e Lirisë në 6 dhjetor të vitit të kaluar.
Rrëmbimi dhe dhuna kriminale e shfaqur në dritë të diellit në atë aksion të paligjshëm, arbitrar dhe të paprecedent të Narkopolicisë, i realizuar nga banditë të maskuar, të armatosur rëndë dhe pa asnjë dokument identifikimi, një skandal që turpëron Shqipërinë, si vend anëtar i Këshillit të Europës dhe kandidat për anëtarësim në BE, në raport me shkeljen flagrante të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, është dënuar edhe Avokati i Popullit dhe për të cilin kujtoj që edhe Altin Dumani nuk pati kurajon që para Komisionit të Ligjeve ta quante si normal por që sipas tij linte për të dëshiruar.
Konstatimi i shkeljeve shumë të rënda ligjore nga Avokati i Popullit, të tilla si përdorimi i forcave speciale me maska, të paidentifikuar dhe të armatosur rëndë, për të dhunuar dhe rrëmbyer, nëpërmjet trajtimit degradues dhe poshtërues, në mungesë të çdo dokumentacioni procedural apo më keq akoma të zhdukjes së çdo prove institucionale, si në rastin e liderit opozitar të Partisë së Lirisë, Z. Meta përbëjnë jo vetëm një dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të njeriut, por një atentat të pastër politik dhe kriminal ndaj demokracisë dhe vet shtetit të së drejtës.
Ky akt i dënueshëm ligjërisht nuk kurrë nuk mund të relativizohet dhe kurrë Ilir Proda nuk do të amnistohet, por do të mbajë herët a vonë përgjegjësi penale.
Se është ky Narkokomisar në krye të Policisë së Shtetit që faktoi edhe së fundmi botërisht se është një vegël e verbër jo vetëm e politikës por edhe e krimit të organizuar që është emëruar në atë detyrë për të zbatuar vetëm urdhra politikë kriminalë dhe antikushtetues, kundër opozitës dhe një nga përgjegjësit kryesorë të situatës dramatike ku ndodhet sot siguria e jetës në vendin tonë, siç e dëshmoi edhe atentatit kriminal në aeroportin “Nënë Tereza” dhe emërimi në strukturat e policisë së shtetit të ushtarëve të krimit.
Partia e Lirisë kërkon shkarkimin e menjëhershëm dhe pavonesë të Narkopolicit Ilir Proda dhe i fton organet e drejtësisë t’i thërrasin mendjes e të mos amnistojnë këtë bandit nga veprat e rënda penale, me pasoja shumë të rënda jo vetëm për rendin e sigurinë, por edhe për jetën e qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco