Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvillon sot në orën 12:00 mbledhjen e parë konstituive pas ngritjes së tij në Parlament. Pas konstituimit, mazhoranca dhe opozita kanë nisur punën për amendimin e ligjit zgjedhor.
Në rendin e ditës parashikohet caktimi i numrit të ekspertëve teknikë të komisionit, si edhe miratimi i kërkesës për mbështetje teknike nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.
Sipas formulës së miratuar për përbërjen, komisioni do të ketë bashkëdrejtim nga mazhoranca dhe opozita. Përfaqësimi ndahet në 7 anëtarë nga PS, 5 nga PD, si dhe nga 1 anëtar për secilën prej partive PSD, Partia Republikane, Partia e Lirisë dhe Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të marrin pjesë në diskutime, por pa të drejtë vote.
Komisioni do të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri (PS) dhe Oerd Bylykbashi (PD), të cilët kanë të drejtë vetoje.
© SYRI.net