Është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte, 18 nëntor, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.
Kjo është hera e dytë që Bylykbashi shkon në SPAK.
Pas daljes ai deklaroi se isha në SPAK për kallëzimin e bërë publik për aferën e ECO parkut në Durrës.
Është një kallëzim që është bërë në marsin e vitiit 2024.
'Ajo është një aferë e pastër korruptive' tha Bylykbashi.
Bylykbashi ka dhënë deklarime si kallëzues për ECO park. Hetim po kryhet nga prokurori Klodian Braho. Bylykbashi konfirmoi se janë bashkuar dy procedime, njëri i nisur kryesisht nga vetë SPAK dhe tjetri nga kallëzimi i PD.
Oerd Bylykbashi: Së pari për të qenë korrekt, unë sot isha këtu në cilësinë e kallëzuesit, të një prej kallëzuesve, pra deputetë të Partisë Demokratike, në lidhje me çështjen, me aferën e Ecopark-ut. Është një kallëzim, i cili është bërë në marsin e vitit 2024, dhe që është bashkuar me ç'kuptoj dhe me një procedim që ka nisur më herët kryesisht nga, nga Prokuroria e Posaçme. Dhe isha thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi faktet. Unë jam një nga kallëzuesit. Kallëzuesit, është një grup deputetësh, një kallëzim i bazuar mbi hetime të ekspertëve antikorrupsion dhe ligjorë të Partisë Demokratike. Kështu që për këtë çështje isha sot.
Gazetar: Kush janë të kallëzuarit?
Oerd Bylykbashi: Atëherë, duke filluar nga, kryeministri Rama, kallëzimi është publik, është, ne kemi bërë një konferencë. Po aty është një çështje e cila juve, ne e kemi denoncuar që në atë kohë që është një aferë e pastër korruptive ku, është kontraktuar për 19 milionë euro diçka që më pas një kompani që është e lidhur drejtpërdrejtë me kompaninë e inceneratorëve, me Integrated Energy, e ka bërë vetëm për 6 milionë e gjysëm euro. Pra 12 milionë e gjysëm euro të shqiptarëve janë vjedhur. Dhe në raport është edhe më keq sesa rasti i tunelit të Llogarasë po ta marrim këtë aspekt. Por, pra mbi bazën e atij kallëzimi dhe atij materiali denoncues që ne analizuam dhe prezantuam, bëmë kallëzimin dhe sot isha në këtë cilësi.
Gazetari: Ju jeni jurist dhe mund ta kuptoni në çfarë faze është kjo me Ecopark-un. A rritët ta kuptoni qoftë nga pyetjet, qoftë nga...
Oerd Bylykbashi: Unë besoj që do t'i bazohem asaj që tha zoti Dumani në Komisionin e Ligjeve kur i bëmë pyetje në lidhje me këtë çështje dhe tha që është në përfundim hetimi. Pra i referohem asaj dhe më shumë nuk mund të them. Nga ana tjetër është, duhet të respektojë dhe po themi sekretin e veprimeve hetimore, por unë kam dijeni kaq. Neve pra rishprehim, po kallëzimi është i deputetëve të grupit parlamentar. Po është një çështje të cilën duke qenë se prek drejtpërdrejt zonën zgjedhore Bashkinë Durrës, sigurisht që kam patur një interes të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Gazetari: Zoti Bylykbashi, ju shohim me dokumenta, keni dorëzuar apo keni marrë dokumenta?
Oerd Bylykbashi: Këto janë dokumentat që kallëzimi penal, dokumentacioni që ne kishim gati për të, që kemi bërë gati në atë kohë për këtë çështje. Ju falenderoj.
© SYRI.net