Në një analizë mbi kapitujt më të errët të historisë shqiptare, Ardian Elezi, pasardhës i të përndjekurve politikë, diskutoi sot në 'Kafe Shqeto' mbi plagët e pashërueshme të lëna nga regjimi komunist. Duke folur për përjetimet personale dhe familjare, Elezi theksoi se trashëgimia e komunizmit nuk është thjesht një kujtim i hidhur, por një kërcënim që vazhdon të ndikojë shoqërinë shqiptare.
Në qendër të diskutimit ishte masakra e 17 Nëntorit në Tiranë, e cila u cilësua si një simbolikë e terrorit të planifikuar dhe gjenocidit të kryer nga Partia Komuniste. Sipas Elezit, kjo ngjarje nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar për shfarosjen e kundërshtarëve politikë në të gjithë vendin.
Listat e përgatitura me emra intelektualësh, klerikësh, ushtarakësh dhe qytetarësh të shquar nga veriu në jug, dëshmojnë se terrori ishte i rrënjosur në ADN-në e regjimit që në fillimet e tij.
Elezi bëri një paralele mes krimeve të komunizmit dhe atyre të regjimeve të tjera totalitare si nazizmi, duke theksuar se bilanci tragjik i komunizmit, me rreth 100 milionë viktima globalisht, e tejkalon atë.
Ai përmendi se edhe liderë ndërkombëtarë si presidenti amerikan Donald Trump e kanë njohur komunizmin si një rrezik për vlerat e lirisë dhe demokracisë, një kërcënim që ende sot ndihet në skenën gjeopolitike.
Pjesë nga deklarata:
"Unë kam lindur dhe jam rritur në internim. Kam qenë edhe protagonist i ngjarjeve. Isha me fat që kontribuova në mënyrën, po themi, anonime dhe modeste, në ndryshimet politike në vend. Me atë protagonizmin, edhe familjar, po edhe individual, dhe kalvarin e vuajtjes së regjimit komunist e kam si familje dhe si individ, me një bilanc, po themi.
Edhe në Amerikë ky është një shqetësim dhe është ngritur niveli i alertit edhe atje, duke pasur parasysh ekspozimin e SHBA-së ndaj risqeve që i vijnë nga komunizmi, për shkak të natyrës së tij, një regjim totalitar që ka prodhuar të gjithë atë bilanc tragjik në eksperiencat lindore, rreth 100 milionë viktima, më shumë sesa regjime të tjera totalitare, qoftë nazizmi apo të tjera.
Kjo tregon që edhe SHBA-ja, vendi i lirisë dhe destinacioni ku shpresa jonë ishte orientuar, ndihet e kërcënuar. Zoti Trump e shenjtëroi proklamatën e tij edhe në formë betimi para Kushtetutës Amerikane për t'u thënë shtetasve amerikanë dhe jo vetëm, por edhe gjithë botës që është orientuar nga vlerat perëndimore, liri, demokraci, liritë dhe të drejtat e njeriut, që kërcënimi nga ky regjim duhet marrë seriozisht.
Kjo është një simbolikë, domethënë më evidente në kuptimin e asaj që i ka mbijetuar kujtesës, për të treguar se fryma e terrorit dhe e gjenocidit ishte mbjellë në ADN-në e Partisë Komuniste që në krijim. Kjo u pa edhe gjatë luftës civile në Shqipëri, me eliminim ndërvetë, por edhe kundërshtarë politikë të cilët shiheshin si pengesë për revanshin e komunistëve.
Këtë e përdorën si justifikim në luftën dhe përpjekjet për çlirimin kundër okupatorit, ndërkohë që ishte parapërgatitur si skenar. Strategjia përfshinte listat e përgatitura, me emra të evidentuar që, sipas tyre, shiheshin si familje tiranase, por lista përfshinte të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug. Personalitete të shquara në art, kulturë, letërsi, gazetarë, ushtarakë, nëpunës, madje edhe klerikë, nuk kishin limite në këtë skenar gjenocidal.
Madje, në një farë mënyre dikush edhe ishte i vrarë në vetëdije, por Hoxha, hartuesi, në bashkëpunim me jugosllavët, e kreu këtë. Një rast tipik është vrasja e klerikut Selim Braja në vendin e shenjtë, deri në xhami, për të dhënë sinjal.
Kjo vrasje u bë në bashkëpunim me serbët dhe të tjerë jo shqiptarë, të cilët goditën edhe në vendin e shenjtë. Këto kufizime nuk kishin vija të kuqe, dhe ata që konsideroheshin kundërshtarë politik apo që shiheshin si pengesë për ardhjen e komunistëve, u goditën.
Komunistët deklaruan se donin një Tiranë të pastër. Sot përjetojmë ende kulturën e mosndëshkimit, e ngulitur që në gjenezë. Ky është një shembull për të treguar pse gjërat janë deri këtu edhe sot ku i vuajmë".
© SYRI.net