‘200 vite punë për një banesë’/ Xhaferri: Të rinjtë shqiptarë, qiraxhinj të trafikantëve nën qeverisjen Rama

19:41, 17/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga foltorja e protestës janë lëshuar akuza të forta se sektori i ndërtimit në Tiranë është kthyer në një mekanizëm për pastrimin e parave të krimit, duke e bërë të pamundur për të rinjtë blerjen e një apartamenti.

Në fjalën e tij gjatë protestës para Kryeministrisë, kreu i FRPD, Besart Xhaferi theksoi se, një çifti të ri në kryeqytet i duhen "as 200 vite punë" për të siguruar një banesë, pasi çmimet janë fryrë nga paratë e paligjshme.

Gjithashtu Xhaferri u shpreh se përmes kullave në Tiranë pastrohen paratë e inceneratorëve, të 'Ndrangheta-s dhe të "karteleve serbe të Arkanit".

Kjo situatë, sipas folësit, po i kthen të rinjtë shqiptarë në qiraxhinj të trafikantëve të drogës dhe zyrtarëve të korruptuar të lidhur me qeverinë e Edi Ramës.

Në përfundim, Xhaferri tha se pas çdo projekti të qeverisë fshihet një "dramë sociale" për mijëra familje dhe se kriminalizimi i shoqërisë ka hequr imunitetin për të gjithë.

Fjalimi u mbyll me një thirrje për vazhdimin e protestave, me zotimin për të mos u larguar nga sheshi deri në rrëzimin e qeverisë Rama, duke e cilësuar situatën aktuale si një "tragjedi kombëtare".

Xhaferri: Një çift i ri në Tiranë nuk i dalin as 200 vite punë për të blerë atë apartament. Sepse me ndërtimet në Tiranë pastrohen paratë e inceneratorëve, të ndrangetës dhe të karteleve serbe të Arkanit. Kemi katër vite që ngrejmë alarmin se të rinjtë shqiptarë po kthehen në qiraxhinjtë e trafikantëve të drogës dhe të zyrtarëve të korruptuar të Edi Ramës. Ndaj së bashku me doktor Berishën implementuam në programin projektin një çati për çdo çift të ri. Por siç e thanë dhe zyrtarët e OSBE-ODIHR, kartelet e drogës që nuk donin të ndryshonin status quo-në në 11 maj, lëshuan armatën e tyre të kriminelëve në rrugë për të vrarë votën e lirë për llogari të Edi Ramës. Një rast e pafund kur pamundësia për të blerë një shtëpi ka çuar të rinjtë shqiptarë drejt shtëpive të barit dhe grupeve të drogës, ku në shumë raste janë bërë kurban i përplasjeve të kartelave të drogës. Sot kam një pyetje për ata prindër socialistë që kanë fëmijë në moshën tonë. Si ndjeheni kur me votën tuaj mbani në pushtet një njeri, nën qeverisjen e të cilit askush nuk i kërkon llogari një trafikanti droge me 60 apartamente? Ndërsa fëmija juaj, djali apo vajza që punon me djersë, nuk blen dot kurrë shtëpinë e parë dhe i detyruar nga rritja e kostove të jetesës nga paratë e krimit, marrin rrugët e botës. Kam një pyetje për ju socialistët në rrethe, që sillni fëmijët tuaj për të studiuar në Tiranë. Si ndjeheni kur fëmijët tuaj në vend që të shkollohen, detyrohen të bëjnë dy ose tre punë për qiranë dhe ushqimin, pasi me djersën e tyre pastrojnë para përmes qirave trafikantë droge dhe të korruptuar. Mos thoni më ç'më duhet mua, pasi pas çdo projekti të Edi Ramës, veç faturës së vjedhjes ka edhe një dramë sociale për mijëra familje shqiptare. Dramë që në shumë raste ka edhe fund të dhimbshëm, sepse nga kriminalizimi masiv i shoqërisë, askush nuk ka më imunitet. Dhe njerëzit e lirë që janë në këtë shesh dhe do mblidhen çdo javë, ata që kurrë shpresën s'e kanë humbur, idealizmin, po mbi të gjitha dëshirën për të jetuar në Shqipëri, do e ndali këtë tragjedi kombëtare që po i ndodh Shqipëria. Duke ju falenderuar për mbledhjen dhe për këtë protestë, ju ftoj në protestën e radhës dhe patjetër që nuk do ikim nga ky shesh pa e rrëzuar Edi Ramën. Fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco