I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka folur mbi fillimin e një serie protestash të cilat do të mbahen para Kryeministrisë, të cilat ai i cilësoi si një “foltore publike” ku deputetët dhe qytetarët do të shprehin shqetësimet dhe problemet e tyre.
Këlliçi u shpreh se kjo lëvizje vjen si pasojë e pamundësisë për të debatuar në Parlament, i cili, sipas tij, ka ezauruar çdo hapësirë për zërin opozitar, ndërsa prej dy muajsh nuk është mbajtur as seanca e detyrueshme mujore për shqetësimet e qytetarëve, duke i lënë hallet e tyre pa adresim.
Ai akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, duke përmendur rastin e Luftar Hysës, i cili është fotografuar duke dalë nga zyra e kryeministrit dhe së fundmi është sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit. Këlliçi theksoi se qeveria përdor fabulën e integrimit evropian për të mbuluar afera korruptive dhe për t’i mbyllur gojën opozitës, ndërkohë që u jep licenca individëve të lidhur me krimin për kazinosh dhe hotele. Ai përmendi gjithashtu se mediat ndërkombëtare e paraqesin Shqipërinë si një “narkoshtet të konsoliduar”, në kundërshtim me propagandën e qeverisë për një imazh dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Në përfundim, deputeti i PD-së theksoi se protestat janë pikënisja e domosdoshme e një reagimi qytetar për të ndryshuar realitetin aktual dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protesta nga vetë shqiptarët, pasi vetëm ata mund të kundërshtojnë korrupsionin dhe vjedhjet e fondeve publike.
Pjesë nga deklarata:
Do të jetë një protestë që do të hapë siparin e protestave permanente që do të mbahen para Këshillit të Ministrave, ku qëndron kreu i grupit të strukturuar kriminal, që është sot në krye të shtetit, Edi Rama. Dhe pa diskutim do të jetë një foltore publike ku do të flasin deputetët e Partisë Demokratike, për shkak të pamundësisë së asaj që ndodh në Parlament për të diskutuar dhe debatuar, dhe ku do të flasin qytetarë të ndryshëm për problematikat e tyre. Dhe mos harro këtu, është shumë e rëndësishme: ne kemi dy muaj parlament, kemi kaluar dy muaj, dhe ende nuk është zhvilluar një seancë që është e detyrueshme çdo muaj për të folur për problemet e qytetarëve, që është seanca e parë pas javës së gjelbër. Po ju fus në teknikalitete të kalendarit të Kuvendit, ku flitet vetëm për problemet e qytetarëve. Dhe ende nuk është zhvilluar.
Duke u prishur seanca dhe duke kaluar në votim çdo seancë me fuqinë e kartonave që ka mazhoranca, nuk ka më as hapësirë, jo për të diskutuar ligjet, por as për problemet e komunitetit, për problemet e qytetarëve, që praktikisht është detyrim parlamentar një herë në muaj që të gjithë deputetët, të 140, që përfaqësojnë zonat e tyre opozitë dhe mazhorancë të flasin për hallet e qytetarëve. Foltore e hapur, jo vetëm për probleme, shqetësime, problemet e qytetarëve.
Kjo sjellje, ky sukses apo kjo ecuri e çeljes së grup-kapitujve dhe të tjera e të tjera, dhe për opinionin publik që sot ka parë ato shfaqjet e shëmtuara dhe bajate të kryeministrit shqiptar me tortë… Se mos harroni që ka hapur nja katër herë shampanjën për hapjen e negociatave, dhe gënjente me ambasadorët e Shqipërisë në vendet e BE-së, në vendet e Quint-it e të tjera. Mjafton të kujtojmë që hapja e grup-kapitujve nuk do të thotë anëtarësim në BE. Mali i Zi ka vite që i ka hapur para nesh, shtete të tjera po ashtu. Puna është përmbyllja, kur i përmbyll ti të gjitha kriteret, rekomandimet dhe kërkesat që ka Bashkimi Europian. Dhe çelja e grup-kapitujve nuk do të thotë asgjë. Puna është kur do t’i mbyllësh këto grup-kapituj dhe kur do të arrish ato standarde të Bashkimit Europian.
Dhe për këtë çështje do të doja të ndalesha vetëm te një detaj, që do t’ia huazoj kolegut tuaj të nderuar, zotit Basir Çollaku. Është një status i tij që më ka goditur jashtë mase dhe tregon një realitet tjetër nga çfarë na paraqitet në propagandë: lista e të gjithë mediave ndërkombëtare që pasqyrojnë Shqipërinë si narkoshtet. Që të jemi korrekt, Edi Rama në tre ditët e fundit është shprehur tekstualisht se “ne po paraqitemi në arenën ndërkombëtare më me dinjitet se kurrë dhe ky standard nuk është arritur më parë”. Pra, flet ky për arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, duhet t’i citoj edhe për publikun: mediat më të mëdha botërore, europiane, amerikane, madje edhe ato të Amerikës Latine, pasqyrojnë Shqipërinë si një shtet që është në fazën e fundit të narkoshtetit, pra një narkoshtet i konsoliduar. Po përdoret fabula e integrimit europian për t’i mbyllur gojën opozitës, për të dhënë licenca kazinosh, ndërkohë që karteli Sinaloa shpallet nga presidenti Trump si organizatë terroriste, kurse Edi Rama funksionarët e kartelit i kishte në zyrën e tij dhe u jepte licencë për kazino dhe hotel me pesë yje në Vlorë.
Me ritmin që po ecën kryeministri i sotëm me akaparimin e të gjithë hapësirave të opozitës dhe institucioneve nuk do të ishte keq që ai të marrë edhe drejtimin e zyrës së Delegacionit të BE-së në Tiranë. Është e kotë që vijnë zyrtarët ndërkombëtarë për sa kohë deklaratat i marrin copy-paste nga kryeministri. Sepse është qesharake të vendosësh një precedent: të përjashtosh kryetarin e opozitës kjo s’ka ndodhur në 34–35 vite pluralizëm për një deklaratë të bërë jashtë ambientit të Kuvendit, krejt korrekte, duke cituar gërmë për gërmë ambasadorin, pa fyer askënd. Të përjashtosh kryetarin e opozitës për këtë akt do të thotë që edhe unë dhe ti, Arnold, që jemi sot në këtë intervistë, nesër mund të përjashtohemi po të mblidhet Komisioni i Etikës se nuk i ka pëlqyer diçka që kemi thënë në studio.
Kjo protestë, kjo foltore është pikënisja. Që të jemi të qartë: këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët. Nëse shqiptarët nuk kuptojnë se duhet të reagojnë vetë për vjedhjet flagrante që ndodhin, të mos presin që ta zgjidhë ndonjë ndërkombëtar që vjen, kalon një ditë apo dy, shijon motin e bukur, ushqimin e shkëlqyer, dhe bombardohet me propagandën e Edi Ramës për një realitet që nuk ekziston, veçse në mendjen e tij. Dhe pastaj ikin në vendet e tyre, ndërsa këtu mbetet një vend pa spitale, pa ilaçe, me një minimum jetik të pamjaftueshëm. Sot kreu i grupit parlamentar të PD-së pyeti me të drejtë Taulant Ballën: “A të del ty minimumi jetik me 40 mijë lekë të reja në muaj? Nëse s’të del ty, pse duhet t’i dalë një qytetari tjetër?”.
Kjo është arsyeja pse ikin shqiptarët: 1.1 milionë në 10 vite. Për të gjitha këto arsye, Partia Demokratike ka thirrur sot protestën e parë, pikënisjen e protestave. Dhe duhet ta sqaroj për qytetarët, demokratët, opozitarët dhe ata që nuk janë me PD-në: nuk ka rrugë tjetër përveç protestave dhe reagimit qytetar.
Në 2011-n u bë një protestë që hyn në analet më të zeza të historisë shqiptare, për të cilën sot vijon të bëhet teatër me fletëthirrjen ndaj zotit Berisha. Po, sepse nuk ja jepnin dot para dy javësh kur ishte në SPAK, nuk ja komunikonin dot aty. Por duhej të bëhej i gjithë ky show. Duhej të hiqej vëmendja nga tuneli i “Palloshit”, nga Balluku, nga skandalet e Ramës. Duhej të mashtrohej opinioni publik sikur Berisha po refuzon të shkojë në SPAK, kur ndërkohë ai është politikani që ka bërë thirrje më shumë se kushdo tjetër për të shkuar.
Dhe ka qenë në SPAK ditën që doli njoftimi i parë. Të gjitha këto bëhen për t’i hedhur hi sy qytetarëve. Por qytetarët nuk duhet të harrojnë: në 2011-n u vranë katër qytetarë për një aferë të supozuar prej 700 mijë eurosh, me një video që doli e montuar nga Gjykata. Ndërkohë sot vetëm në aferën e fundit janë zhdukur të paktën 90 milionë euro nga Balluku dhe Edi Rama. Dhe prapë fajin e ka opozita. Fajin e ka Berisha pse qeveris keq Rama. Fajin e ka PD pse vjedh Balluku. Fajin e ka opozita pse vidhte Veliaj me 5D-në.
Edhe me 5D-në, na thonin të njëjtën gjë! Vetëm në Syri TV kemi patur mundësinë të flasim gjerë e gjatë për këtë aferë. Në çdo media tjetër thonin “kjo nuk ekziston”, “këto dihen”, “këto janë gjëra të vogla”, “problemi është opozita”.
© SYRI.net