Gjatë homazheve për Dëshmorët e Atdheut në Ditën e Çlirimit të Tiranës, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, përcolli mesazhin zyrtar në emër të Presidentit Meta dhe forcës politike që ai përfaqëson.
Blushi nderoi sakrificën e mijëra të rinjve partizanë dhe familjeve tiranase që 81 vite më parë u ngritën kundër pushtuesve nazi-fashistë, duke theksuar se vlerat e lirisë dhe qëndresës mbeten të patjetërsueshme.
Në postimin e tij, Blushi e shfrytëzoi përvjetorin për një reflektim të fortë politik, duke akuzuar se Tirana sot është e “uzurpuar nga një sekt anti-kombëtar” që ka marrë peng qytetin. Ai bëri thirrje për ngritjen e një “barrikade qytetare”, ashtu si 81 vite më parë, përballë një regjimi që, sipas tij, sillet si “armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të tiranasve”.
Blushi shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj familjeve të veteranëve që vijojnë të trashëgojnë vlerat e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Fjala e tij:
Në emër të Presidentit Meta, në emër të Partisë së Lirisë dhe në emrin tonë personal, me krenari të ligjshme shprehëm sot nderimin dhe respektin më të thellë ndaj Dëshmorëve të Atdheut, ndaj mijëra të rinjve dhe të rejave partizane të rënë për Çlirimin e kryeqytetit si dhe për të shprehur gjithashtu nderimin dhe respektin për gjithë familjet tiranase, që 81 vite më parë ju bashkuan Luftës Çlirimtare për përmbysjen për shporrjen e pushtuesve nazi-fashistë.
Sot është një ditë jo vetëm mderimi por edhe një ditë reflektimi që vlerat e lirisë, të cilat janë vlera të patjetërsueshme kundër tiranisë vlejnë gjithmonë e më shumë në këtë kohë kur Tirana prej vitesh, për fat të keq, është uzurpuar nga një sekt anti-kombëtar që ka marë peng Tiranën dhe që duhet të shporret nga qytetarët e Tiranës.
Është koha që ashtu si 81 vite më parë të ngremë një barrikadë ndaj një regjimi i cili është sjelle me këtë qytet si armiku më i egër jo vetëm i lirive por edhe i të drejtave të qytetarëve të Tiranës.
Gjithashtu, më lejoni që të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen për të gjitha familjet e veteranëve që trashëgojnë brez pas brezi vlerat e Luftës Nacional-Çlirimtare.
© SYRI.net