Nga Artur Meçollari
Ja përse u dhuruan tre anijet e vjetra nga Italia?
Aktivizimi i qendrës së Gjadrit, anashkalim i vendimit të gjykatës dhe shpëtimi i Melonit.
Dhurimi i anijeve të vjetra është gjithmonë një përfitim financiar. Kjo pasi kthimi i tyre në skrap në Itali, për shkak të kërkesave mjedisore, është shumë i shtrenjtë. Por, kjo nuk është arsyeja kryesore e dhurimit. Arsyeja e vërtet qëndron tek marrëveshja për operacione të përbashkëta midis Marinës Italiane dhe asaj Shqiptare në Mesdheun Qendror kundër emigracionit të paligjshëm. Ky operacion i përbashkët do të mundësojë aktivizimin e Qendrës së Refugjatëve në Gjadër dhe anashkalimin e vendimit të Gjykatës.
Kur një i mbijetuar në det hipën në bordin e një anije, për shkak të statusit të ekstrasovranitetit që ka anija, ai ka shkelur territorin e shtetit të flamurit që mban anija. Duke hipur në një anije ushtarake italiane, vend komunitar dhe më pas transferuar në Gjadër, një shtet jo komunitar, gjykata ka vërejtur se janë cenuar të drejtat e njeriut.
Tashmë me operacionin e përbashkët në Mesdheun Qendror, midis anijeve me flamur shqiptar dhe italian, në çdo rast që të mbijetuarit në det imbarkohen në anijet me flamur shqiptar, ata nuk kanë shkelur territorin e një vendi komunitar, por territorin e një shteti jo komunitar. Kanë shkelur territorin e shtetit ku dhe ndodhet Qendra e Refugjatëve të Gjadrit. Transferimi i të mbijetuarve nga një anije me flamur shqiptar në det drejt Gjadërit në praktik është i ligjshëm dhe nuk ka qënë objekt shqyrtimi nga gjykata.
Një marifet i tillë, jo vetëm i shpëton nderin kryeministres së Italisë Meloni, por ndoshta dhe ulë mundësinë për ndonjë hetim penal për 800 milion eurot e shpenzuara për Qendrën e Refugjatëve në Gjadër. Anijet e dhuruara janë mbi 35-vjeçare, kishin dalë nga shërbimi në Itali dhe në 25 dhjetor 2025 me rastin e 100 vjetorit të Forcës Detare do të hynë në shërbim të saj, por jo më shumë se 2-3 vjet.
© SYRI.net