Kosova ka mbajtur raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, një proces balotazhi që përfshiu 18 qytete kryesore, ku fituesit pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në balancën e forcave politike në vend. Vëmendja kryesore ka qenë në Komunën e Prishtinës, ku përballen dy forcat kryesore politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Gazetari Gazment Saiti, i ftuar në edicionin e lajmeve në Syri TV, u shpreh se LDK ka mundur të sigurojë një avantazh të rëndësishëm përmes bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Saiti vlerësoi se, pavarësisht angazhimit të madh të Vetëvendosjes, trendi i votave për kryeqytetin ka shanse të ndryshojë për shkak të mbështetjes së shtuar nga PDK.
Saiti theksoi përpjekjet e kryeministrit Albin Kurti për të mobilizuar mbështetje, duke qëndruar natën në Mitrovicë për të bindur votuesit të paqartë. Po ashtu, në Gjilan, ai parashikoi një fitore të mundshme për Alban Hysenin nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërkohë që në Prizren, bashkimi i një partie lokale me Vetëvendosjen mund të ndikojë në një përmbysje të mundshme të rezultatit.
Ai theksoi se këto zgjedhje po pasqyrojnë një transformim të madh në skenën politike, duke nxjerrë në pah bashkëpunime dhe dinamika të reja që mund të kenë pasoja të mëdha për të ardhmen politike të vendit.
Pjesë nga deklarata:
Janë 18 komuna në balotazh, dhe natyrisht, ajo që është më e rëndësishme është zgjedhja e kryetarëve të komunave, me veçanërisht rëndësi për Prishtinën, ku përballen dy forcat kryesore politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në këtë garë, është e qartë se LDK ka mundur të sigurojë mbështetje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë balotazh. Kjo është vënë re edhe në protestën e fundit në Tiranë, ku Përparim Rama nga LDK u pa i shoqëruar me djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Lidhjen Demokratike, duke sjellë kështu edhe mbështetje nga pjesa tjetër e Partisë Demokratike, e cila, pavarësisht se kryetar i de juro është Memli Krasniqi, dihet se Hashim Thaçi ka një ndikim të jashtëzakonshëm brenda PDK-së.
Për më tepër, në dekadën e fundit, kemi parë gjithmonë përplasje mes Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa PDK ka qenë më pak e përfshirë. Megjithatë, siç po e shohim edhe në këtë balotazh, me mbështetje nga PDK, LDK mund të rrisë shanset e saj për të fituar komunat e rëndësishme. Pavarësisht kësaj, është e mundur që trendi i votave të mos ndryshojë, veçanërisht në Prishtinë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka një mbështetje të fortë.
Në Mitrovicën e Jugut, Faton Peci ka pasur një epërsi të vogël kundrejt kandidatit të PDK-së, por mbështetja që ka marrë nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe përpjekjet e Kryeministrit Albin Kurti, mund të ndikojnë në favor të tij. Pavarësisht kësaj, është ende herët të thuhet se kush do të dalë fitues, pasi përpjekjet për të mobilizuar mbështetje në Mitrovicë janë shumë intensive. Albin Kurti ka qëndruar atje gjatë gjithë natës për të bindur ata që mund të mos kishin dalë për të votuar dhe për t'i kthyer ato vota që mund të ishin të paqarta, në favorin e Vetëvendosjes.
Gjithashtu, edhe Gjilani është një komunë me një garë të ngushtë. Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një epërsi të vogël ndaj kundërkandidatit të LDK-së, Arbër Ismaili, me 49.80% të votave. Kjo është një diferencë shumë e vogël, vetëm 2%, dhe bashkëpunimi që mund të ndodhë mes LDK dhe PDK do të mund të ndikojë në ndryshimin e balancës së votave. Megjithatë, duke pasur parasysh mbështetjen që ka Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë, është e mundur që Hyseni të arrijë të mbajë kryetarin e komunës edhe në balotazh.
Po ashtu, në Prizren Shaqir Totaj nga PDK ka udhëhequr në raundin e parë, por tani në balotazh, ai përballet me një sfidë të fortë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi është bërë një koalicion me një parti të vogël në Prizren, "Bashkë për Prizrenin" të Zafir Berishës. Ky koalicion mund t'i japë Vetëvendosjes një avantazh të rëndësishëm në qytet, duke krijuar mundësinë që Artan Abrashi nga Vetëvendosje të kalojë në epërsi. Kjo mund të jetë një kthesë e madhe për Prizrenin, duke pasur parasysh mbështetjen e gjerë që ka pasur koalicioni i ri.
Në përgjithësi, në Kosovë ka një trend ku vota për kryetarët e komunave është shpesh më shumë një votë familjare, dhe ka një ndikim më të vogël nga pushteti qendror. Megjithatë, është e mundur që ndikimi i partive të tjera të vogla dhe bashkëpunimi i tyre të ndryshojnë ekuilibrin e votave. Për Lëvizjen Vetëvendosje, kjo mund të jetë një mundësi për të pasur më shumë kontroll mbi komunat, por gjithashtu do të jetë e vështirë për ta mbajtur këtë epërsi në komunat e mëdha si Prizreni, Mitrovica dhe Gjilani, për shkak të konkurrencës së fortë dhe angazhimit të forcave të tjera politike, përfshirë PDK-në dhe LDK-në.
© SYRI.net