Marrja e pandehur e Belinda Ballukut në një kohë të shpejtë nga regjistrimi i procedimit penal, ndodhi në kushtet kur vepra mund të parashkruhej. Ndërkohë SPAK në dosjen hetimore, nënvizon se hetimet për fakte të reja penale, që mund të rëndojnë pozitën e numrit dy të qeverisë janë duke vijuar. Nga ana tjetër, ndonëse emri i tij përmendet si drejtues i KVO-së në procedurat e para për tunelin e Llogarasë, Ergys Verdhi nuk ishte mes 6 personave që iu komunikua akuza nga SPAK.
Syri TV
Arsyeja pse Belinda Balluku u mor e pandehur në një kohë kaq të shpejtë dhe vetëm për shkelje të barazisë në tendera, sqarohet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme është për faktin se vepra penale mund të parashkruhej. Në dosje evidentohet fakti se ushtrimi i ndjekjes penale për tunelin e Llogarasë, në ngarkim të të pandehurës Balluku është i afërt me kufirin ligjor 5 vjeçar të parashkrimit të ndjekjes penale, parashikuar nga neni 66 gërma “Ç” e Kodit Penal. Por nga ana tjetër thotë organi hetues, veprimet hetimore nuk kanë përfunduar për fakte të tjera penale, ç’ka nënkupton se ndaj numrit dy të qeverisë mund të ketë në vijim komunikim akuze tjetër.
E thënë më thjeshtë, nisja e procedurave të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ka ndodhur më në vjeshtën e 2020-ës, pra 5 vite më parë, dhe pas rreth 1 muaj, vepra për të cilën sot akuzohet Balluku mund të parashkruhej nëse organi hetues nuk do të dilte me konkluzione, ndonëse dy kallëzimet penale që u bashkuan në një të vetëm ishin bërë më 9 korrik dhe 12 shtator të 2024.
Ajo çfarë ngre pikëpyetje deri më tani për hetimet, është fakti se më 7 dhjetor 2020, ARRSH i propozon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së drejtuar nga Belinda Balluku, Anila Luzin për anëtare të Njësisë së Prokurimit, si person përgjegjës për përllogaritjen e fondit limit, hartimin e kritereve dhe kërkesave të veçanta për kualifikimi, si dhe shtetasit Ergys Verdho, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli për anëtarë të KVO-së. E teksa bashkë me Ballukun këta dy të fundit u morën të pandehur, për Verdhon që më 9 dhjetor 2020 kishte cilësinë e kryetarit të KVO-së, SPAK nuk ka komunikuar akuzë. Veç kësaj, në procedurën e parë që u anullua, emri i Ergys Verdhos përmendet në një komunikim mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit që i takon datës 17 mars 2021, kur po kryheshin veprimet për të favorizuar kompaninë turke që fitoi koncesionin.
Por ndonëse emri i Verdhos përmendet në disa episode nuk sqarohet më tej pozita e tij dhe veprimet që ka kryer apo cilësinë që ka patur. Prej marsit 2024 Ergys Verdho mban funksionin e drejtorit të hekurudhës teksa më herët ka qenë administrator i Kompanisë Elektro Energjitike Shqiptare. Për 3 vite, nga 2018 -2021 ai ishte drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, teksa emri I tij është lakuar dhe denoncuar disa herë duke e lidhur me tendera korruptiv.
© SYRI.net