Bozdo: Borxhe stratosferike prej 1.7 miliardë eurosh, opozita zbardhi skandalin në sektorin energjetik

14:39, 06/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti Eno Bozdo mbajti fjalën e tij gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku u shpreh se borxhi rekord prej 1.7 miliardë eurosh, i akumuluar nga tre ndërmarrjet shtetërore të energjisë (KESH, OST, OSHEE) dhe ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, është një indikator alarmant i keqmenaxhimit financiar të këtyre institucioneve. Ai theksoi se kjo shifër kontraston me deklaratat e qeverisë për suksesin e reformave në sektorin e energjisë, duke e konsideruar këtë situatë si një pasqyrë të keqadministratës dhe partizimit të institucioneve shtetërore.

Bozdo gjithashtu ngriti shqetësimin për detyrimet e prapambetura prej 1.7 miliardë euro në Drejtorinë e Tatimeve dhe 500 milionë euro në Dogana, duke kërkuar llogaridhënie për menaxhimin e parasë publike dhe transparencë në shpenzimet e shtetit. Ai kritikoi gjithashtu projektet e koncesioneve dhe Partneritetet Publike-Private, duke i cilësuar ato si një barrë financiare për qytetarët shqiptarë, pa ofruar përfitime reale për shoqërinë.

Fjala e tij:

Flet për buxhetin faktik të vitit 2024 dhe ngre çështje shumë të nxehta dhe reale mbi menaxhimin e pronës publike dhe të parasë publike. Mirë do të ishte që, me gjithë hallet që ka, ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës të ishte këtu për të dëgjuar gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky raport flet për një borxh rekord të akumuluar prej 1.7 miliardë eurosh nga tre ndërmarrjet publike që zotërojnë sistemin e energjisë (KESH, OST, OSHEE) dhe të ujësjellës kanalizimeve. Kjo është një shifër e jashtëzakonshme dhe një rezultat që vjen pasi qeveria për 10 vite ka mbajtur retorikën e reformës më të suksesshme në sektorin e energjisë.

Përkundrazi, këto ndërmarrje mbahen vetëm me financime publike, të cilat vijnë nga taksapaguesit. Ato operojnë në një treg të rregulluar dhe duhet të dalin me fitim, por nuk e bëjnë këtë. Pse? Sepse janë shndërruar në strehë të punësimeve partiake, duke zbrazur nga profesionistët dhe duke marrë aty me kuç e me maç çdo punonjës që siguron vota për Partinë Socialiste. Ky është një problem i madh.

Po ashtu, raporti i KLSH-së tregon se ka detyrime të prapambetura në sektorin e tatimeve dhe doganave që arrijnë 2 miliardë euro. 90% e borxhit të akumuluar në dogana është më i vjetër se pesë vjet, që tregon se nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për mbledhjen e këtij borxhi. Dhe tani, qeveria po përgatitet të sjellë një projektligj për faljen e detyrimeve të vjetra se 10 vjet. Kjo është një tjetër shqetësim serioz për financat publike.

Në anën tjetër, kemi veprat publike si tuneli i Llogarasë dhe Thumana-Kashar, që do të kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 1.7 miliardë euro, dhe do të paguhen për 30 vitet e ardhshme. Këto nuk janë projekte publike, por borxhe që ne do t’i paguajmë në dekadat që vijnë. Kjo është një fatkeqësi për qytetarët shqiptarë.

Kjo ngre pyetje mbi praktikat e koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat. Në thelb, këto projekte duhet të bëhen nga sektori privat për të sjellë më shumë efikasitet dhe kursime, por kjo nuk po ndodh. Disa nga këto janë thjesht punë dhe prokurime publike të shtrira në kohë dhe borxhe që nuk matën as në statistikat e Ministrisë së Financave. Ky borxh i rëndon brezin e ardhshëm, fëmijët tanë dhe nipat tanë.

Shqetësimi i fundit është përfitimi i shoqërisë shqiptare nga këto koncesione. Pse duhet të shpenzojmë 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë për të kursyer vetëm 20 minuta kohë, kur një pjesë e madhe e Shqipërisë, sidomos në jug, është pa infrastrukturë bazë si ujësjellës dhe energji elektrike? Kjo është një logjikë që nuk funksionon dhe që nuk mund të pranohet.

Në fund, ne duhet të vendosim: duhet të vazhdojmë me këtë histori të turpshme të PPP-ve dhe koncesioneve, që na bëjnë të paguajmë më shumë për projekte që mund t’i bëjmë më lirë me burime publike, apo duhet të bëjmë ndryshe dhe të sigurojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për qytetarët shqiptarë?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco