Seanca parlamentare ku po diskutohet raporti vjetor I KLSH-së për vitin 2024 vijon. Deputeti demokrat Luan Baçi tha se diskutimi i raportit të kontrollit të lartë të shtetit vjen në fakt në fazën më kulminante të degradimit të shtetit të bërë njësh me pushtetin tuaj. Ku zv/kryeministrja dhe Belinda Balluku dhe vartësit e saj janë të pandehur për aferën korruptive 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë.
Shkeljet në ministrinë e saj janë kaq të shumta, sa SPAK më mirë t’i vërë një shirit rrethues godinës”
Baçi tha se Balluku është masha, ndërsa autori I kësaj afere është vetë Rama kjo është arsyeja që ai nuk e shkarkon.
"Jo vetëm si opozitë, por për të gjithë shqiptarët, kërkojnë që kryeministri të marrë përgjegjësinë më minimale duke e shkarkuar zonjën në fjalë, si dhe ajo të dorëzojë imunitetin. Por a mund ta bëjë një gjë të tillë ky kryeministër? Duket se e ka të pamundur. E ka të pamundur sepse është vetë ai autori i kësaj afere, ashtu si dhe shumë e shumë afera të tjera. Zëvendësja e tij është deri në fyt, por s'është gjë tjetër veçse masha e tij"
Fjala e Luan Baçit
Më lejoni të shtoj që është i vetmi institucion (KLSH) që po qëndron edhe gjatë diskutimeve që bëjnë deputetët e parlamentit.
Institucionet e tjera menjëherë pasi kanë mbaruar raportimin, janë përgjigjur disa pyetjeve në mënyrë të përciptë dhe menjëherë janë larguar se ju keni dhënë leje që mund të largoheni, mund të ikni, që në fakt duhet të jetë e detyrueshme për të gjithë drejtuesit e institucioneve që të qëndrojnë në sallën e parlamentit derisa të mbarojë pika e rendit të ditës ku ata raportojnë, marrin përgjigjet e pyetjeve dhe diskutimet e deputetëve.
Gjithsesi, sot diskutimi i raportit të kontrollit të lartë të shtetit vjen në fakt në fazën më kulminante të degradimit të shtetit të bërë njësh me pushtetin tuaj.
Dhe ky raport vjen kur numri dy i qeverisë është zyrtarisht e pandehur nga SPAK dhe mbi të dhe varësit e saj rëndojnë akuza të rënda të shkeljes së ligjit dhe të tenderave dhe prokurimeve. Madje kaq shumë mund të jenë shkeljet në ministrinë e zonjës zëvendësministre, sa SPAK është më mirë t'i vëjë një shirit rrethues godinës dhe pastaj të fillojë të nxjerrë ata pak që mund të jenë të papërlyer brenda. Por morali politik, përgjegjësia para ligjit dhe llogaridhënia publike janë koncepte që ky pushtet i këtij kryeministri nuk i ka pranuar kurrë dhe me të njëjtin variant, me heshtje, vijojnë ta injorojnë edhe skandalin e shkeljeve të bashkëpunëtores së tij më të afërt, të zëvendës kryeministres.
Jo vetëm si opozitë, por për të gjithë shqiptarët, kërkojnë që kryeministri të marrë përgjegjësinë më minimale duke e shkarkuar zonjën në fjalë, si dhe ajo të dorëzojë imunitetin. Por a mund ta bëjë një gjë të tillë ky kryeministër? Duket se e ka të pamundur. E ka të pamundur sepse është vetë ai autori i kësaj afere, ashtu si dhe shumë e shumë afera të tjera.
Zëvendësja e tij është deri në fyt, por s'është gjë tjetër veçse masha e tij. Gjithsesi, çështja për të cilën po flasim lidhet me një institucion i cili të paktën ka mbetur ishull i izoluar në rezistencën për të bërë transparencë me fondet publike. Njëherësh, KLSH e angazhuar seriozisht për të kryer hetim të pavarur të skandaleve të qeverisë si në nivel qëndror ashtu dhe në atë lokal. Vlerësoj punën e institucionit dhe raportimin serioz të kreut të saj në komisione si dhe këtu në seancë. Veçanërisht vlerësim për hetimin e thelluar të shkeljeve në sistemin e shëndetësisë, çështjen e pagesave të inceneratorëve, atë të Bankers Petroleum dhe disa të tjera si këto. Nga ana tjetër, inkurajoj KLSH-në dhe ekspertët e pavarur të vijojnë me profesionalizëm dhe paanshmëri misionin e tyre edhe kur përballen me rezistencën e institucioneve dhe zyrtarëve që nuk u pëlqen transparenca dhe llogaridhënia. Të nderuar qytetarë shqiptarë, abuzimet e rënda që evidenton KLSH, veçanërisht me buxhetin publik në shëndetësi, dëshmojnë jo vetëm filozofinë e korrupsionit, por dhe qasjen krejtësisht antihumane të kryeministrit dhe ministrave të tij ndaj shëndetit të qytetarëve shqiptarë.Së fundi po lexoja për mungesë tjetër ilaçi në procesin e kimioterapisë, gjë që ka shkaktuar bllokim të këtij protokolli të kurimit. Dhe në fakt, edhe disa mesazhe që kam marrë dhe të dhëna nga dy-tre të sëmurë me tumor në Fier, kanë konfirmuar mungesën e ilaçeve. Kjo situatë është e papranueshme, aq më tepër kur skandali i zëvendës kryeministres evidentoi dhe njëherë babëzinë pa fre në tavën e pushtetit.
Medalja në anë e pushtetit shfaq një grua, një nënë, një politikane, e cila abuzon me miliona euro. Nga ana tjetër, e medaljes, dëshmohet varfëria, pamundësia dhe braktisja e grave, vajzave dhe nënave të sëmura me tumor që askush nga shteti nuk u zgjidh hallin. Abuzimet e evidentuara nga KLSH-ja në sistemin e shëndetësisë theksojnë shkeljen e dhënies së pagesave për shërbime që nuk janë kryer nga koncesionarët. Raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore. Ose në rastin e dializës, shërbimet janë kryer me vëllime më të ulëta se projeksioni. Shëndetësia, investimet publike në infrastrukturë dhe energji, si dhe bujqësia, vijojnë të mbeten sektorë problematikë dhe në shkelje dhe abuzime. Kolegë deputetë, Shqipëria vijon të mos kalojë teste të rëndësishme të reformave për integrimin. Pavarësisht retorikës goditëse të Ramës për Shqipërinë europiane të 2028-ës apo 2030-ës. Realiteti i varfërisë dhe i papunësisë është tjetër gjë dhe ai diellës i kryeministrit është një gjë tjetër, është fasada e pushtetit.
Në renditjen e përgjithshme të indeksit të sundimit të ligjit 2025, Shqipëria renditet në vendin e 87 nga 143 vende. Vendi mbetet ndër të fundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Serbinë në vendin e 96, ndërsa Mali i Zi performon shumë më mirë.
Në fund të fjalës më lejoni të theksoj mbështetjen për këtë punë serioze të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe me besimin se kryetari Shehu duhet të depozitojë dhe do të depozitojë edhe më shumë kallëzime për zyrtarë të korruptuar të kësaj qeverie dhe të kësaj mazhorance.
© SYRI.net