Në një seancë të tensionuar parlamentare, diskutimi mbi raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nxjerr në pah akuza të rënda për korrupsion dhe abuzim me fondet publike nga ana e qeverisë.
Deputetja e PD Ina Zhupa, në fjalën e saj, kritikoi ashpër mungesën e ministrave në sallë, duke e cilësuar raportin e KLSH-së, si të vetmin instrument që “skanon korrupsionin e qeverisë dhe abuzimet me paranë publike”.
Sipas deputetes, raporti zbulon se sektori me më shumë abuzime dhe më i nënfinancuari është ai i shëndetësisë. Ajo denoncoi një sërë problematikash të evidentuara nga KLSH, duke përfshirë mungesën e verifikimit të çmimeve të referencës, kontrolle fiktive dhe inventarë të pasaktë, të cilat, sipas saj, bëhen të gjitha “në kurriz të shëndetit të qytetarëve shqiptarë”. Zhupa theksoi se Ministrja e Shëndetësisë duhet të ishte prezente për të dhënë llogari për këto gjetje alarmante.
Akuzat nuk u ndalën me kaq. Vëmendja u zhvendos te Ministria e Arsimit, ku deputetja kërkoi përgjigje nga ministrja Mirela Kumbaro se përse vazhdon të mbajë në detyrë një sekretar të përgjithshëm, të cilin vetë KLSH e ka referuar për ndjekje penale si abuzues me fondet dhe procedurat.
Në shënjestër ishte edhe Ministria e Financave, e cila, sipas raportit të KLSH-së, ka dështuar në monitorimin e koncesioneve, duke lejuar abuzime me fondet publike. Zhupa argumentoi se mungesa e ministrave në këtë diskutim të rëndësishëm nuk është e rastësishme.
Nw përmbyllje tw fjalës sw saj, Zhupa tha se çdo raport i KLSH-së është një “skaner i të vërtetës”, dhe se gjetjet e tij përbëjnë dosje të mirëfillta për SPAK-un dhe për sistemin e drejtësisë.
“Të gjitha ato janë dosje për SPAK, janë dosje për drejtësinë, ku ministrat tuaj jo rrallëherë kanë nisur pikërisht procedurat nga kontrollet e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, përfundoi ajo.
Unë e di që keni qejf t'ju shoh nga mbrapa, por nuk dua. Faleminderit kryetar. Nuk kam asnjë dëshirë t'ju shoh nga mbrapa. Më vjen mirë që hoqët dorë nga praktika e vjetshme ku kryetarin e KLSH-së e mbajtët për pesë ditë në kuvend të raportonte, sepse me sa duket ish-kryetari i atëhershëm i komisionit kishte çështje personale dhe kësaj radhe keni qenë brenda statuturës për ta bërë raportimin vetëm me një ditë në komisionin përkatës. Në fakt, ky është raportimi më i rëndësishëm kryetar, tani iku dhe ministri për parlamentin. Është më i rëndësishëm sepse është i vetmi që skanon korrupsionin e qeverisë dhe abuzimet me paranë publike. Dhe në këtë moment që ne flasim, ju nuk keni as atë ministrin për parlamentin, që në fakt ishte i vetmi që nuk auditohet, se nuk ka portofol dhe ndaj kishte kurajon për të qëndruar këtu.
Ndërkohë që këtu prezent duhet të ishte ministrja e shëndetësisë, e cila sipas asaj që referoi kryetari i KLSH-së edhe në komisionin përkatës, del që sektori më me shumë abuzime dhe i nënfinancuar është sektori i shëndetësisë, ku mungon që nga verifikimi i çmimit të referencës, tek kontrollet fiktive, tek inventarët e pasaktë dhe të gjitha këto në kurriz të shëndetit të qytetarëve shqiptarë.
Këtu duhet të ishte ministrja për procedurë. Këtu duhet të ishte ministrja e arsimit, zonja Kumbaro, për të thënë se pse vazhdon të mbajë sekretar të përgjithshëm të njëjtin person që KLSH-ja e ka çuar për ndjekje penale dhe e ka nxjerrë qartësisht që është abuzues i fondeve dhe i procedurave në Ministrinë e Arsimit. Këtu duhet të ishte ministri i financave, i cili në të gjitha raportet që nxjerr KLSH-ja për monitorimin e koncesioneve, nuk i kanë kryer detyrën dhe janë abuzues me fondet publike.
Por në këtë moment ju nuk keni ministrat, sepse e dini shumë mirë që çdo raport i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është vetëm një skaner i të vërtetës dhe të gjitha ato janë dosje për SPAK, janë dosje për drejtësinë, ku ministrat tuaj jo rrallëherë kanë nisur pikërisht procedurat nga kontrollet e e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo ishte ndërhyrja ime. Shumë faleminderit.
© SYRI.net