Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka reaguar ashpër pas daljes publike të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e konsideruar atë “fyese dhe poshtëruese për qytetarët, votuesit dhe taksapaguesit shqiptarë”.
Në një status në rrjetet sociale, Preçi thekson se beson në prezumimin e pafajësisë për çdo qytetar dhe zyrtar të hetuar për korrupsion apo abuzim me detyrën shtetërore, por shton se personat e përfshirë në afera të tilla duhet “të përballen me drejtësinë përpara se të vazhdojnë propagandën mediatike”.
Sipas tij, heshtja e qytetarëve apo opozitës përballë rasteve të tilla nuk duhet interpretuar si mungesë interesi për fatet e vendit.
“Të mos harrojmë se më shumë se gjysma e familjeve shqiptare mezi mbyllin muajin për shkak të varfërisë që njeh vetëm rritje. Gjatë dekadës së fundit kanë lënë vendin mbi 500 mijë shqiptarë, dhe ajo zonjë e bashkëqeverisësit e saj janë përgjegjësit kryesorë për këtë katastrofë kombëtare”, – shkruan Preçi.
Në përfundim, ai bën thirrje për zgjim qytetar dhe përgjegjësi individuale e institucionale, duke theksuar se kjo është e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin e publikut te drejtësia dhe institucionet.

© SYRI.net