Tubimi paqësor që po zhvillohet përpara Parlamentit të Shqipërisë, në Tiranë, ka mbledhur qindra qytetarë të shqetësuar për të shprehur qëndrimin e tyre kundër projektligjit të barazisë gjinore. Protesta është organizuar nga Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës”, i cili ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së familjes tradicionale, të fëmijëve dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Akil Pano bëri thirrje për unitet midis komuniteteve fetare dhe qytetarëve të shqetësuar për ndikimet që ky ligj mund të ketë në strukturën e familjes dhe në jetën e përditshme të shqiptarëve.
Ai nënvizoi se ky është një moment historik për të qëndruar kundër rikthimit të praktikave të komunistëve dhe politikave që rrezikojnë traditat dhe identitetin kombëtar.
LEXO EDHE: 'Protestë kundër ligjit anti-familje përpara Kuvendit'/ Berisha: Familja na thërret!
Pano theksoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komuniteteve myslimane dhe të Kishës Ungjillore, duke bërë thirrje për rezistencë paqësore dhe për bashkëpunim ndërfetar në mbrojtje të vlerave familjare.
Ai gjithashtu falënderoi liderin e opozitës, Sali Berisha, dhe deputetët që kanë shprehur mbështetje për thënien “jo” ndaj projektligjit, duke siguruar qytetarët se zëri i tyre nuk do të injorohet.
Ky tubim, sipas organizatorëve, është një sinjal i fortë për institucionet dhe politikanët se qytetarët kërkojnë të ruajnë traditat dhe të garantojnë të ardhmen e familjes dhe fëmijëve në Shqipëri.
Pjesë nga deklarata:
Ky projektligj të censuron lirinë e shprehjes, të besimit dhe të familjes. Ky është momenti kur myslimanë dhe të krishterë bashkohen për të thënë jo ligjit të George Soros, për të thënë jo projektligjit të politikave të ekstremit të majtë.
Ne jemi sot këtu për të thënë jo rikthimit të komunizmit në Shqipëri, për të thënë jo shkatërrimit të familjes dhe të fëmijëve.
Jemi mbledhur sot këtu nën flamurin shqiptar, pasi Shqipëria meriton të lartësohet, familja duhet të lartësohet dhe njëri duhet të mbështesë tjetrin në gjithçka.
Mbase kemi humbur shumë gjëra në këto vite, por nuk do të lejojmë kurrë që të neperkëmben dinjiteti i shqiptarëve, identiteti i fëmijëve të vihet në lojë dhe ardhmëria e Shqipërisë të rrezikohet.
Unë jam shumë i lumtur që sot me ne prezantë janë imamët e komunitetit fetar, kemi Forumin Mysliman të Shqipërisë, përfaqësues edhe nga KISHA Ungjillore, kemi qytetarë të mbledhur për të bërë rezistencë përballë këtij projektligji.
Ky projektligj nuk trajton vetëm çështje barazie, por në thelb është burokracia më e madhe që ekziston.
Unë dua të falënderoj të gjithë ata që janë sot përballë meje, bashkë me liderin e opozitës, Sali Berisha, i cili është këtu. Falënderoj të gjithë deputetët që do t’i thonë jo këtij projektligji sot.



© SYRI.net