Dosja ‘Balluku’, gazetarja pyet SPAK-un: Pse nuk janë nxjerrë përgjegjësit për fryerjen e fondit limit?

Dosja ‘Balluku’, gazetarja pyet SPAK-un: Pse nuk janë nxjerrë përgjegjësit për fryerjen e fondit limit?

21:37, 05/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja Ola Xama ka reaguar në Facebook pas publikimit të pjesëve të dosjes së Belinda Ballukut, duke vënë në dyshim mungesën e përgjegjësve për fryerjen e fondit limit.

‘Nga sa lexova te argumentimet e akuzës që SPAK ka bërë për zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ARRSH, sërish nuk kuptova se përse nuk ka përgjegjës për fryrjen e fondit limit. Këtu nis qëllimi për krijimin e dëmit ekonomik me vlerë dhjetëra milion euro’, shkruan gazetarja.

Sipas saj, nëse ka shkelje të barazisë në tendera me pasojë dëmin ekonomik, dëmi më i madh ka ardhur nga anulimi i procedurës së parë.

‘Siç vërtetohet në komunikime, anulimi është bërë jo për arsye ligjore e profesionale, por për shkak të ndjesisë së keqe që kishte ministrja Belinda Balluku dhe me urdhër të saj’, thekson Xama.

Gazetarja në Facebook citon edhe shifrat e tenderit.

‘Oferta më e ulët në tenderin e parë ishte 143.7 milion euro (kursi i sotëm). Në dosje konsiderohet se dëmi nga shkelja e barazisë në tendera ka ardhur nga skualifikimi i opertatorit me ofertën më të ulët (158 milion euro) në procedurën e dytë të tenderit.’

Xama kërkon sqarime nga SPAK në lidhje me mungesën e disa prej hallkave të rëndësishme të hetimit.

‘Si dhe me çfarë qëllimi u fry fondi limit. Si mund të hapet gara për një vepër që do të kushtojë 190 milion euro vetëm me një projekt-ide (thjesht render) dhe një preventiv të hartuar me përafërsi? E gjithë procedura është bërë për 4 ditë, pa asnjë oponencë, pa u miratuar në Këshill Teknik dhe e dirigjuar nga persona të afërt të ministres. Si dështoi gjithë zinxhiri institucional, ministri e Financave, Thesar dhe APP të lejojnë të ndodhë kjo?’

Gazetarja shton pyetje të hapura për qëllimin e mundshëm të përfitimeve financiare.

‘A ka patur qëllim që në fillim të përfitohen dhjetra milion euro? Nëse po, kush i ka përfituar dhe ku kanë shkuar? Nëse zyrtarët kanë favorizuar një kompani pjesëmarrëse në garë, a duhet të hetohet dhe nëse ka patur tentativa nga kompania për të ndërhyrë dhe për të dhënë përfitime të paligjshme për zyrtarët?’, shkruan Ola Xama në Facebook.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco