'Varfëria këmbanë alarmi'/ Premçi: Familjet shqiptare po mbyten në kredi për bukën e gojës

21:12, 05/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kostoja e lartë e jetesës po rëndon gjithnjë e më shumë mbi familjet shqiptare, të cilat po detyrohen të marrin kredi jo më për të blerë sende luksi, por për të përballuar shpenzimet e përditshme. Ky është alarmi që ngrihet nga eksperti i ekonomisë Edvin Premçe, i cili thekson nevojën për ndërhyrje urgjente nga ana e qeverisë për të lehtësuar barrën financiare mbi qytetarët.

Sipas analizës, në 'KUSH PAGUAN' në SYRI TV me moderatoret Klaudia Karabolli dhe Flavia Shahini, Premçe shprehet se efekti social i politikave qeverisëse duhet të jetë më i ndjeshëm, veçanërisht për shtresat më të rrezikuara. Familjet me dy rroga, çiftet e reja dhe familjet me fëmijë të vegjël po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të shpenzimeve të larta, që nga ato për aktivitetet shkollore e deri te kostot bazike të jetesës.

Në këtë kontekst, Premçe propozon disa masa konkrete. Së pari, kërkohet një ndërhyrje më efektive në tregun e qirave përmes politikave aktive të banesave sociale. Po ashtu, vihet në dukje se edhe transporti publik mbetet një kosto e konsiderueshme, pavarësisht se çmimi i biletës nuk ka pësuar rritje. Për familjet në nevojë, sugjerohet aplikimi i një bonusi ose një formule specifike që do të sillte një ulje të drejtpërdrejtë të shpenzimeve të tyre.

Një tjetër propozim thelbësor është krijimi i një grupi teknik monitorues për çmimet e tregut. Ky grup do të kishte për detyrë të vlerësonte nëse një pagë normale mujore mjafton për të përballuar jetesën dhe të identifikonte pikat ku qeveria mund të ndërhyjë. Një masë drastike, por e nevojshme, mund të ishte edhe ngrirja e çmimeve për një shportë produktesh ushqimore thelbësore për një periudhë të caktuar, si për shembull 16 muaj, duke mbështetur njëkohësisht bizneset që do të zbatonin këtë masë.

Eksperti shprehet se shifrat më alarmante vijnë nga Banka e Shqipërisë. Përqindja e kredive të marra nga familjet për shpenzime të përditshme ka arritur në mbi 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vetëm gjatë vitit të fundit, është shënuar një rritje prej 20% në këtë kategori, një sinjal i qartë i vështirësive financiare të qytetarëve.

Ky fenomen sipas ekspertit, po krijon një cikël vicioz ku familjet hyjnë në borxhe përmes kartave të kreditit apo overrafteve, të cilat kanë kosto të lartë interesi. Kjo barrë financiare jo vetëm që ndikon në uljen e konsumit të përgjithshëm, por i mban familjet peng të borxheve ndaj bankave. Situata kërkon një reflektim të thellë dhe një ndjeshmëri reale nga ana e institucioneve për të kuptuar dhe adresuar problemet me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.

Premçe:

Nga ana tjetër ajo çfarë duhet të bëjë qeveria përtej, mendoj, përtej perceptimit real dhe që të reflektojë pra atë çfarë thuhet, është pikërisht që duhet të ketë, të themi efektin social duhet ta ketë më të ndjeshëm. Efekti social pikërisht është ajo çfarë kanë pengesë ose çfarë janë shpenzimet që janë të larta për familjet, të paktën ato që janë me dy rroga. Dhe po flasim edhe për çiftet e reja, po flasim edhe për familjet që janë me fëmijë të vegjël dhe i kanë në aktivitete shkollore, në shkollë, në kurse private. Pra, dhe këtu duhet në një farë mënyre të ndikojë siç thamë edhe për qiranë, pra duhet të jetë akoma më efektive dhe më, të themi më më prezente me banesat sociale.

Duhet të jetë pse jo dhe me transportin publik. Është një problematikë tjetër, paçka se tash nuk është rritur çmimi. Që nuk është rritur çmimi, por ama nga ana tjetër është një kosto që ndikon dhe ajo mund të ketë në një farë mënyre, duhet të shikohet një farë bonusi ose një një formulë që në një farë mënyre të ketë, të ketë një ndikim dhe të ketë një ulje në familjet në nevojë dhe në familjet që nuk kanë arritur, nuk arrijnë të themi një limit social.

Por nga ana tjetër mendoj që është shumë e rëndësishme të krijohet pse jo edhe një komision ose të krijohet edhe një grup teknik që të monitorojë çmimet e tregut dhe të shohin realisht që a dilet me një pagë mujore normale në fund të muajit dhe çfarë dhe ku mund të ndërhyjë qeveria për ta bërë një gjë të tillë. Mund të jetë edhe një dhe bllokimi i çmimeve ose ngrerja e disa çmimeve të shportës që janë, të themi, disa ushqime që janë bazilare dhe elementare dhe të rëndësishme, të cilat në një farë mënyre duhet të ngrihen me çmime të fiksuara, pse jo edhe për 16 muaj, të cilat në një farë mënyre mund të ndihmojnë.

Dhe nga ana tjetër po absolutisht duhet të që të ndihmohen ato biznese që aplikojnë këtë formë, të themi, këtë formë mbështetje që duhet të bëjë nga ana e qeverisë. Nga ana tjetër mos të harrojmë që ka dhe është rritur shumë dhe përqindja e kredive të marra nga familjet për sa i takon dhe jo për të blerë gjëra të luksit, por për shpenzime të përditshme. Sipas të dhënave dhe të Bankës së Shqipërisë janë mbi 13%. Dhe vetëm nga viti i kaluar, për shpenzime të produktit të brendshëm bruto.

Dhe vetëm nga viti i kaluar ka pasur një shtesë me plus 20%. Kjo është, të themi edhe një sinjal tjetër, këmbanë alarmi, e cila në një farë mënyre qeveria duhet të ndërhyjë dhe të shohë se si mund të të incentivojë këto familje dhe t'i ndihmojnë sepse po flasim dhe për një përqindje të lartë që ato paguajnë kur marrin, që përdorin kartën e kreditit ose pse jo dhe overdraftet dhe në një farë mënyre kanë një kosto të lartë e cila ndikon dhe në uljen e konsumit të këtyre familjeve sepse në një farë mënyre duhet të paguajnë për mos të qenë debitor ndaj bankave. Këto janë disa elementë që ndoshta duhet të ketë një reflektim, por ajo më e rëndësishmja është që duhet të ketë një dëgjesë reale të asaj çfarë ndodh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco