VIDEO/ Lika: Ata që kryejnë korrupsion janë grupe të strukturuara kriminale, por SPAK nuk i sheh kështu

18:18, 05/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Ekspertja e auditimit, Meri Lika, e ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka deklaruar se edhe ata që kryejnë afera korruptive duhet të konsiderohen grupe të strukturuara kriminale.

Lika e ka arsyetuar këtë konstatim duke analizuar mënyrën e veprimit të këtyre grupeve:

‘Kanë një kokë që e ideon, pastaj fillojnë tentakulat dhe rrjetat e merimangave që hapen për të realizuar qëllimin.’

Sipas saj, deri më tani ishte krijuar perceptimi se vetëm ata që merren me drogë përbëjnë grupe të strukturuara kriminale, ndërsa në fakt e njëjta logjikë duhet të vlejë edhe për aferat korruptive.

‘Deri tani po, se deri tani ishte krijuar ideja që vetëm ata që merren me drogë janë grupe të strukturuara kriminale.

Se unë i kam bërë një letër të hapur Altin Dumanit, e dija që nuk do merrja përgjigje sepse s'mund të merret ai me ne të gjallët e të vdekurit.

Dhe i kam bërë pikërisht këtë pyetje, që kur konsiderohet një aferë korruptive si grup i strukturuar kriminal? Sipas logjikës time që jam gjysmë juriste sepse jam audituese ligjore dhe logjika ime më çon tek grupet e strukturuara kriminale të gjitha aferat korruptive që janë zhvilluar në Shqipëri.

Ato kanë një kokë që e ideon, pastaj fillojnë tentakulat dhe rrjetat e merimangave që hapen nga do për të realizuar qëllimin që është vendosur që në fillim.’

Ekspertja solli edhe një shembull konkret nga kjo situatë.

‘Ka disa nga këto që kanë ngelur në tentativë, si për shembull po të kujtoj koncesionin e TVSH-së, i cili nuk u realizua, sepse vartësit nuk pranuan ta realizonin, por ka të tjera si këto që janë realizuar të gjitha.’

Në përfundim, Lika theksoi se SPAK-u nuk po i trajton me seriozitetin e duhur aferat korruptive, duke i klasifikuar vetëm si shkelje të barazisë në tendera, e jo si korrupsion të mirëfilltë.

‘Sipas gjykimit tim, të gjitha këto janë grupe të strukturuara kriminale. Unë mendoj që SPAK-u i trajton me mosbarazi në tendera, për shkeljen e barazisë në tendera, por jo për korrupsion, shumë pak ka trajtuar për korrupsion, por thjesht për shkelje të barazisë në tendera, për t'i dënuar sa më pak dhe për të mos vajtur te sekuestrimet.’, u shpreh ndër të tjera Meri Lika në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco