I ftuar në intervistën e mesditës, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, foli mbi sfidat e bujqësisë shqiptare dhe vështirësitë që vendi po përballet në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se Shqipëria është në një pikë kritike për sa i përket kapaciteteve për të përmbushur kërkesat e BE-së në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore. Sipas Panaritit, mungesa e kapaciteteve laboratorike dhe, më shqetësuesja, mungesa e ekspertëve të kualifikuar, është një problem i madh. Ai e lidh këtë me fenomenin e migracionit të profesionistëve, duke u shprehur se Shqipëria po humb ekspertizën e nevojshme për t’u përballur me sfidat e reja që kërkon procesi i integrimit.
Në lidhje me mbështetjen financiare nga Bashkimi Europian, Panariti theksoi se Komisioni Europian ka ngritur shqetësimin për mungesën e një sistemi të saktë regjistrimi të tokave, duke theksuar se, nëse nuk bëhet një regjistrim i plotë dhe i saktë, Shqipëria do të ketë vështirësi për të siguruar mbështetje direkte për fermerët nga BE. Ai theksoi se regjistrimi i tokave duhet të bëhet në emër të pronarëve të ligjshëm, dhe kërkoi një mekanizëm të qartë kompensimi për ata që janë pronarë historikë, për të mundësuar kështu procedurat e regjistrimit dhe marrjen e fondeve nga Bashkimi Europian.
Pjesë nga deklarata:
Ne jemi në pikën fundore të kapaciteteve tona gjeografike. Nuk jemi njerëz të përgatitur për t'u përgjigjur këtyre sfidave dhe për të punuar për plotësimin e kërkesave të standardeve që BE kërkon për zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore. Kemi mungesë kapacitetesh laboratorike në funksion të këtij qëllimi, por kryesorja është se ka një potencial njerëzor të ulët, që është një dramë e madhe dhe një pasojë direkte e zbrazjes së Shqipërisë. Sepse, të parët që largohen nga Shqipëria janë padyshim njerëzit profesionistë që nuk e gjejnë veten në një shoqëri të ndërtuar mbi një klientelizëm të hapur. Prandaj, edhe në strukturat që normalisht duhet të përgjigjen sipas negociatave me BE, kemi militantë. Çdo presion në dialog me ta, sepse ata janë jashtë fushës dhe jashtë kompetencave.
Përveç pagesave të IPARD-it, ku raporti thotë se nuk ka garanci të nevojshme për të vazhduar me pagesa të tilla, supozohet se vitin e ardhshëm nuk do të kemi zhbllokim të fondeve IPARD. Më bëri përshtypje që që në fillim të kapitullit të progres-raportit për bujqësinë, përmendet një element kritik. Aty thuhet se si parakusht i pagesave direkte nga BE, sepse në momentin që Shqipëria do të anëtarësohet në BE, nuk do të kemi më këtë modalitet pagesash, dhe pagesat për fermerët do të kalojnë në pagesa të drejtpërdrejta. Aty thuhet se nuk ka asnjë garanci që këto pagesa do të shkojnë tek fermat, parcelat, sipërfaqet tashmë shumë të fragmentuara, pasi ato nuk janë pjesë e regjistrit të identifikimit dhe të përcaktimit të saktë të kufijve. Këtu dalim tek problemi madhor: që ta bëjmë regjistrimin dhe përcaktimin e saktë të kufijve, duhet të dimë se në emër të kujt do të regjistrohen. Do t’i regjistrojmë në emër të pronarëve historikë apo përfituesve me ligj 7501? Dhe këtu futet në lojë shteti, i cili ose kompenson ish-pronarin, ose pronarin historik. Duhet gjetur një mekanizëm kompensimi financiar, në mënyrë që të procedohet me regjistrimin më pas.
Këtu jemi në ajër. Kemi tituj pronësie të cilët nuk janë të regjistruar me hipotekë. Këtu rrezikojmë të mos kemi fonde, sepse duhet të dimë ku shkojnë ato fonde. Emri dhe mbiemri i pronarit duhet të jetë i qartë, në mënyrë që fondet e BE të vijnë aty ku duhet. Ky është një handikap i madh, është një patate e nxehtë në duar të politikës shqiptare, e cila duhet të gjejë zgjidhjen, sepse zgjidhje ka. Një zgjidhje është që kjo çështje të jetë e segmentuar.
© SYRI.net