Pedagogu i ekonomisë akuza Veliajt: Tirana ka devijuar, janë neglizhuar shërbimet bazë

22:02, 04/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kritika të ashpra janë drejtuar ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e këtë herë nga një zë që vjen nga brezi i tij, i cili shprehet i zhgënjyer me drejtimin që ka marrë kryeqyteti. I ftuar në ‘A Krasta Show’, Oltion Rrumbullaku, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, u shpreh se qeverisja e Tiranës ka devijuar nga një vizion për zhvillim të mirëfilltë, duke u përqendruar në zona specifike interesi dhe duke neglizhuar shërbimet themelore për qytetarët.

Ai e përkufizoi veten si pjesë e “brezit të zhgënjyer”, i cili kishte shpresa se Veliaj, si një përfaqësues i gjeneratës së tyre, do të sillte ndryshim dhe përparim. Mirëpo, sipas tij, sidomos gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit, drejtimi ka marrë një “kthesë të fortë negative”, ku në Tiranë “ka ndodhur gjithçka, përveç zhvillimit të qytetit”. Një nga pikat më kritike të argumentit të tij lidhet me menaxhimin e situatës pas tërmetit të vitit 2019. Ai tha se fokusi i investimeve u zhvendos në mënyrë joproporcionale drejt zonave të caktuara, siç është ajo e “5 Majit”, duke kanalizuar aty fonde të konsiderueshme, ndërkohë që probleme shumë më themelore të qytetit mbetën pa zgjidhje.

Oltion Rrumbullaku: Unë jam, unë jam një brez me zotin Veliaj. Unë jam më shumë i zhgënjyer në faktin që si përfaqësues i brezit tim, le të themi, ai mund të sillte, mund të sillte shumë ndryshime, mund të sillte shumë përparim në Tiranë. Dhe sidomos, për mendimin tim, sidomos pesë-gjashtë vitet e fundit, mori një kthesë shumë të fortë edhe në Tiranë ka ndodhur gjithçka përveç zhvillimit të qytetit.

Ajo që kam kuptuar unë është që ndoshta pas mandatit të parë, po flas për bashkinë, në mandatin e dytë në momentin e tërmetit, deri në mandatin e parë kishte citime të projekteve për të ardhmen, projekte të ndryshme, le të themi lidhur me bulevardin e madh, lidhur me transportin, me terminale, me TeD-ën e me të tjera. Më vonë, kuptohet që unë duke e ndjekur nga afër veprimtarinë e bashkisë, në momentin që ndodhi tërmeti, në momentin që fokusi i investimeve të bashkisë u kthye në disa elementë që s'kishin aspak lidhje me zhvillimin e qytetit. Për shembull, zona 5 Maji. Si zona 5 Maji, në Tiranë mund të ketë rreth 30 zona të ndryshme.

Pra të piketosh një zonë për të bërë aq shumë investime dhe për të harxhuar aq shumë fonde të bashkisë edhe për tërmetin, pjesërisht edhe zona e kombinatit, pjesërisht edhe fondet e tjera duke neglizhuar atë që në fakt është dhënia e shërbimeve bazë publike që duhet të ketë një bashki. Shërbimet bazë publike duke nisur nga furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, të cilat mbeten në Shqipëri si çështje periferike të diskutimit publik, kur në fakt janë çështjet themelore të diskutimit publik që duhet të diskutohen vazhdimisht. Transporti, dhe jo vetëm transporti, po edhe çështja për shembull e terminaleve, terminalet shkojnë përtej, larg qendrës së qytetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco