VIDEO/ Pastori Pano zbërthen projektligjin e PS për ‘Gjinitë’: Është ‘wokizëm i të majtës ekstreme në SHBA’

21:22, 04/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pastori Akil Pano, i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka zbërthyer se çfarë po kërkon të bëjë Edi Rama dhe Partia Socialiste me propozimin e ligjit për ‘Gjinitë’.

Sipas Panos, propozimi i mazhorancës së PS-së në thelb është projektligji i wokizmit të liberalëve të majtë, pra të forcave ekstreme majtiste, që është bërë në SHBA dhe Kanada.

‘Në thelb, ky projektligj, i cili është i maskuar nën termin projektligji për barazinë gjinore, nuk trajton asgjë dhe aspak çështje që lidhen me atë që ne njohim si barazi, por në thelb është projektligji i wokizmit të liberalëve të majtë, pra të forcave ekstreme majtiste.

Kemi të bëjmë me të gjithë paketën, si kundër është njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë udhëtimit politik të administratës Biden-Harris, në Kanada, në pjesën e Evropës Perëndimore, që lidhet me të gjithë historinë e ripërkufizimit të asaj që ne njohim si gjini, të ripërkufizimit të raportit të njeriut me veten, njeriut me familjen, me fëmijët, fëmijët me edukimin e tyre gjinor në shkolla, raporti i njeriut me sportin, raporti i njeriut me ushtrinë, raporti i njeriut me atë që ne njohim si drejtësi, ndryshimi i fjalorit, ndryshimi i gjuhës,’ tha Pano.

Gjatë bisedës në SYRI TV, pastori Pano u shpreh se, ‘kemi të bëjmë me një paketë të plotë ndryshimesh, të cilat shihen nën termin barazi gjinore. Nëse do të më lejoni telegrafikisht, në mënyrë shumë të shkurtër t’i kaloj. Së pari, bëhet ripërkufizimi i gjinisë. Në qoftë se fjalori shqip-shqip, Akademia e Shkencave që ka miratuar fjalorin zyrtar të shqiptarëve, e përkufizon gjininë si tërësia e tipareve natyrore që dallojnë mashkullin nga femra dhe që i përcaktojnë secilit rolin e veçantë në riprodhimin e llojit, pra seksin, gjininë mashkull dhe femër, dhe më pas fëmijët që lindin si rrjedhojë e bashkimit të dy të kundërtave, me rekomandimet e LGBT-së, në këtë projektligj, dhe rekomandimet e LGBT-së janë këto: zgjerimi i përkufizimit të gjinisë duke u parë në lenten e gjithëpërfshirjes, përtej konceptit binar burrë-grua’.

‘Tani drafti final për votim në parlamentin e Shqipërisë vjen me këtë përkufizim për gjininë. Gjinia nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe për burrat’, theksoi Pano.

‘Pra gjinia nuk është më esencë natyrore tek njeriu, nuk është më një gjini binare, siç ne njohim mashkull-femër, por është një konstrukt social që lidhet në raport me role të caktuara. Pra është një këmishë, një xhaketë që ti mund ta veshësh, mund ta heqësh sa herë të duash nga vetja. BBC-ja, një institucion i medias ndërkombëtare gjigante botërore, ju e njihni,’ shtoi pastori Akil Pano gjatë bisedës në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco