Bashkimi Europian ka vulosur me Progres raportin e vitit 2025 shkeljet e rënda në zgjedhjet e 11 Majit. Sipas BE-së, zgjedhjet u zhvilluan në kushte të barabarta loje, ku partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe fondeve. Ndërsa Edi Rama i cilëson krenari, Bashkimi Europian ngre shqetësimin për angazhimin e rrjeteve të patronazhistëve që ndikuan në rezultatin zgjedhor. Në Progres raport ngrihet gjithashtu shqetësimi mbi mungesën e kontrollit të Parlamentit ndaj qeverisë si dhe sjelljes shtypëse të pushtetit ndaj opozitës, ku nënvizohet përdorimi i forcës së policisë dhe gardës kundër tyre. Një tjetër shqetësim është ndërhyrja e Edi Ramës në pushtetin vendor me shkarkimet masive, ndërsa niveli i korrupsionit cilësohet problematik në të gjitha hallkat qeverisëse.
Nga SYRI TV
Progres raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 ka rrëzuar zgjedhjet e 11 majit, duke konfirmuar se gara e zgjedhjeve parlamentare ishte e pabarabartë dhe partia në pushtet shfrytëzoi burimet shtetërore. Progres raporti, i cili kalon në lupë zhvillimet e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, ngre shqetësimin për përdorimin e rrjeteve të patronazhistëve nga Partia Socialiste dhe kërkon realizimin e një reforme zgjedhore të plotë e konsensuale, duke i dhënë fund shfrytëzimit të burimeve shtetërore nga ana e mazhorancës.
Përfundimet e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR vërejtën se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale, por identifikuan disa mangësi, përfshirë mungesën e një fushe të barabartë dhe abuzimin me burimet publike. U vërejtën gjithashtu zhvillime shqetësuese, përfshirë faktin që partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimit institucional, si dhe shqetësime për ndikimin e rrjeteve patronazhiste.
Zbatimi i pjesshëm i reformës zgjedhore nuk ka adresuar ende rekomandimet afatgjata të OSBE/ODIHR, përfshirë nevojën për barazi në fushatat elektorale dhe ndalimin e abuzimit me burimet shtetërore.
Progres raporti ngre alarmin edhe për përkeqësimin e jetës parlamentare, duke theksuar moszbatimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese nga ana e mazhorancës dhe zbehjen e kontrollit të ekzekutivit, që është detyrë kryesore e parlamentit.
Komisioni Europian vëren se seancat parlamentare vazhduan të karakterizohen nga tensione, gjuhë fyese dhe incidente të herëpashershme. Në tetor 2024, pas një kërkese nga shumica, Sekretariati i Etikës së Kuvendit pezulloi përkohësisht 23 deputetë të opozitës për veprime të supozuara të dhunshme gjatë seancës plenare. Kjo çoi në tensione të mëtejshme, përfshirë përplasje fizike midis deputetëve të opozitës dhe Gardës së Republikës.
Kuvendi dështoi të zbatonte disa vendime të Gjykatës Kushtetuese brenda afatit përkatës. Në një opinion për këtë çështje, Komisioni i Venecias konfirmoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjitha organet shtetërore, përfshirë Kuvendin. Kuvendi nuk ka ndjekur ende veprimet pasuese mbi këtë opinion të Komisionit të Venecias. Mbikëqyrja e Kuvendit mbi ekzekutivin mbeti e dobët.
Komisioni Europian ngre shqetësimin për ndërhyrjet politike të qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor. Duke ju referuar sulmeve publike të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtareve dhe prokuroreve, si dhe urdhrave të tij që ministri i Drejtësisë të kërkojë penalizimin e tyre, Komisioni Europian kërkon të ndalen sulmet dhe ndërhyrjet ndaj gjyqësorit.
Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar, përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të pajustifikuar janë shtuar dhe ngrenë shqetësime serioze, veçanërisht reagimet e paprecedenta publike dhe përpjekjet për të ushtruar presion nga degët ekzekutive dhe legjislative kundër Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Shtatë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, gjë që ngre shqetësime për nevojën për të ruajtur ndarjen e qartë midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Qeveria Rama kritikohet edhe për mungesën e transparencës dhe masat e ndërmarra që nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ndërsa vazhdon të vendosë reformat që lidhen me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe politik, qeveria duhet të përmbahet nga retorika dhe masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Transparenca dhe hapja e vendimmarrjes qeveritare duhet të përmirësohen.
Madje, në raport ngrihet alarmin edhe për cënimin e autonomisë vendore nga pushteti qendror, pasi kryeministri Edi Rama ndërmori një tur përgjatë verës duke shkarkuar drejtorët e bashkive në të gjithë vendin. Valët e dorëheqjeve dhe, në disa raste, shkarkimeve në administratat vendore që ndodhën në korrik 2025 pas kërkesës publike të qeverisë qendrore për ndryshime në drejtimin e bashkive ngre shqetësime, përfshirë në dritën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Edhe në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Europian shprehet i pakënaqur me progresin e Shqipërisë, duke theksuar se rekomandimet u zbatuan pjesërisht dhe si të tilla ngelen të vlefshme për t’u zbatuar përgjatë vitit të ardhshëm.
Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet, në veçanti, të vazhdojë të forcojë hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit dhe të sigurojë më shumë dënime përfundimtare, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve kriminale që rrjedhin nga veprat e korrupsionit, si dhe të rrisë referimet proaktive nga institucionet shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit drejt SPAK-ut.
Në raport konsiderohet problematike edhe klima e biznesit, duke përmendur kontratat PPP të qeverisë dhe investitorët strategjikë. Klima e biznesit mbetet gjithashtu e ndikuar nga dobësitë në sundimin e ligjit, informaliteti dhe qasja e kufizuar në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (veçanërisht për fermerët). Dhënia e statusit të investitorit strategjik dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat (PPP)/koncesionet shpesh vlerësohen nga bizneset si jo transparente.
Në fushën e lirisë së mediave, që është një nga prioritetet dhe kushtet kryesore të integrimit europian, Komisioni Europian konstaton se nuk ka patur aspak progres, duke përmendur këtu edhe vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok si një tjetër kufizim.
© SYRI.net