Ndërkohë që ka nën hetim zëvendësen e tij për 50 milionë euro korrupsion vetëm me tunelin e Llogorasë – një vlerë që do të mjaftonte për një rritje të mirë pensionesh e ndihme sociale – Edi Rama ka vendosur të zgjohet këtë të martë duke gënjyer pensionistët me një video në rrjetet sociale, ku u thotë se në prag të zgjedhjeve të ardhshme, pas katër vitesh, do të ketë si premtim përsëri rritjen e pensioneve.
Pasi lajmëron bonusin e radhës në prag të zgjedhjeve në 5 bashki të vendit, Rama kujtohet se pensionet duhet të indeksohen çdo vit – gjë të cilën, për 12 vite në pushtet, nuk e ka bërë asnjëherë. Dhe indeksimin e quan “rritje pensionesh”, kur ndërkohë nuk është e tillë, por një mashtrim i radhës.
Ka 12 vjet që u blen votën, herë me mashtrime e herë me bonuse 5 mijë lekëshe për fundvit apo në pranverë, dhe sot kryeministri doli sërish të flasë për “mirëqenien” e tyre.
Për 12 vjet qeverisje nuk u ka rritur pensionin asnjë kacidhe. Vetëm i bindte të votonin rilindjen që ta shikonin më vonë… Të njëjtën gjë bëri edhe sot, në prag të zgjedhjeve në disa bashki të vendit që do të mbahen më 9 nëntor. Dje nxori ministren e Financave, sot doli vetë; pak më vonë do të nxjerrë ndonjë tjetër që t’ua kujtojë si çekan në kokë të moshuarve: “Unë po ju jap 10 mijë lekë për Vitin e Ri, prandaj kujdes votën.” Propagandë e fëlliqur.
Mesazhi i Ramës:
“Mbrëmë i përcollëm Parlamentit projektbuxhetin 2026 dhe jam i lumtur sot – s’e kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë – por po u them pensionistëve se, siç u zotuam në fushatë, ky mandat do të jetë mandati i rritjes së pensioneve.
Pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbahej, por një vend me ekonomi të qëndrueshme, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam.
Pensionistët tanë do të marrin këtë fundvit bonusin dhe nga janari do të kenë një rritje tashmë të shtrirë çdo muaj me indeksimin e përvitshëm, natyrisht.
Sipas kategorive, në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:
– Pensioni me vite të plota pune të shkojë në 40 mijë lekë, nga 27.350 lekë që është sot;
– Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht në 22 mijë lekë, nga 15.850 lekë që është sot;
– Pensioni rural të shkojë në 18 mijë lekë, nga 11.500 lekë që është sot;
– Pensioni i invaliditetit të shkojë në 30 mijë lekë, nga 20 mijë lekë që është sot.
Nga janari i vitit 2026, pensionet do të rriten çdo muaj përtej indeksimit,” deklaroi Rama.
© SYRI.net