Për avokatin Kujtim Cakrani, shkarkimi i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak është në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në Kafe Shqeto në Syri Tv, Cakrani tha se Veliajt nuk iu dha mundësia nga ana e Këshillit për t’u dëgjuar dhe për të dhënë arsyet e mosparaqitjes në punë për kaq kohë.
Cakrani ishte kritik edhe mbi mënyrën se si opozita bashkoi votat me mazhorancën në Këshillin Bashkiak, duke e konsideruar tanimë shkarkimin e Veliajt si një ngërç juridik më shumë se sa institucional.
Sipas Cakranit, procedura e ndjekur për shkarkimin e Veliajt bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale, pasi ndaj kryebashkiakut të arrestuar nuk është dhënë masë e pezullimit nga detyra.
Nuk e kuptoj pse duheshin bashkuar votat e opozitës në Këshillin Bashkiak me mazhorancën. Veliajt s’iu dha mundësia për t’u dëgjuar se përse po kërkohej largimi i tij dhe përse kishte munguar në detyrë. Edhe Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale e parashikon se ndaj tyre s’mund të merret masë për pezullimin nga detyra.
Ata vërtet e arrestuan dhe e dërguan në paraburgim por s’morën masën e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik. Pse duhet Këshilli Bashkiak të futet në këtë lojë, kur Kushtetuta e ligji s’e ka parashikuar. Është cenuar rëndë neni 139 i ligjit për pushtetin vendor.
E kuptoj epshin e opozitës dhe që këshilltarët e mazhorancës u morën peng kur e votuan. Jemi në një ngërç juridik e jo politik. Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë të drejtë Veliajt. Duhet ta luftosh e jo ta urresh kundërshtarin, në formë juridike.
Ndaj z.Veliaj është bërë puç institucional, s’duhet bërë ndaj askujt. Unë jam për dëgjimin. Edhe Enver Hoxha i dëgjonte njëherë pas i dënonte. S’jam kundër shkarkimit, por të dëgjohet. Do respektuar procedura. procedura e ndjekur s’është koherente. Tjetri pyetet, dëgjohet pastaj merret masa. Shkeljet që kam konstatuar janë se bashkia u kap nga Rama dhe u shkarkua në mënyrë të padrejtë.
© SYRI.net