'Projektligji për gjininë kërcënon familjen shqiptare', Pano: Shqiptarët kundër ideologjisë 'woke'

09:03, 03/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jonathan Pano nga Studioja e 'Kafe Shqeto' në Syri Televizion ka komentuar mbi projektligjin e barazisë gjinore që po diskutohet në Parlament, duke e cilësuar si një ndër masat më antinjerëzore në historinë e Shqipërisë moderne. Në një analizë të detajuar, Pano shprehu shqetësimin e tij mbi atë që e quajti “avancim i ideologjisë woke”, duke argumentuar se projektligji cënon konceptet bazë të familjes tradicionale dhe identitetin biologjik të fëmijëve shqiptarë.

Sipas tij, të gjitha argumentat se ky ligj është një kusht i nevojshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian janë të pavërteta.

Pano theksoi se vetëm tre vende në BE Gjermania, Malta dhe Irlanda kanë ligje që prekin këto çështje në mënyrë të ngjashme dhe se për këtë arsye nuk mund të jetë një standard i BE-së për Shqipërinë.

“Shqiptarët e shohin gjininë si mashkull dhe femër, dhe vetëm një përqindje jashtëzakonisht e vogël lidhet me identitete të shumëfishta ose të lëvizshme,” tha Pano, duke u referuar të dhënave nga studimi më i fundit publik.

Ai shtoi se mbështetja për familjen tradicionale është masive: Mbi 99% e të anketuarve e shohin strukturën burrë-grua-fëmijë si themelin e shoqërisë shqiptare, ndërsa 96% janë kundër zëvendësimit të termave “nënë” dhe “baba” me “prindi një” dhe “prindi dy”.

Pano gjithashtu ngriti shqetësimin për ndikimin që programet me axhendë gjinore mund të kenë mbi fëmijët, duke përmendur shembuj të cenzurës masive të Netflix-it në botë për përmbajtje transgjinore për fëmijë. Ai argumentoi se çdo ligj që ndryshon terminologjinë gjinore ose identitetin familjar jo vetëm që do të krijonte konfuzion te fëmijët, por do të minonte edhe bazat morale të shoqërisë shqiptare.

Pjesë nga deklarata:

"Sepse ideologjia... Ideologjia woke vazhdon. Të gjitha argumentat që këto grupe përdorin që është dhe mazhoranca ka përdorur që është kusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian, është gënjeshtër. Vetëm tre vende në BE, Gjermania, Malta dhe Irlanda e Jugut njohin këtë projektligj në formën që po e bëjmë. Këto gjëra vetëm avancojnë ideologjinë woke.

Në shkurt 2025, presidenti Trump tha publikisht se njohim vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. Ky projektligj është më antinjeri që Shqipëria ka patur ndonjëherë, sepse cënon qenien njerëzore dhe nocionet mami dhe babi. Nëse heqim mamin dhe babin, kalojmë tek prindi një, prindi dy dhe gjuhë neutrale. Ideologjizimi i fëmijëve nga kopshtet deri në gjimnaz është i rrezikshëm, siç tregojnë edhe censurimet masive të Netflix për programe me ideologji transgjinore.

Studimi ynë tregon: 97.6% e shqiptarëve e përcaktojnë gjininë si mashkull dhe femër, 99% mbështesin familjen tradicionale burrë-grua-fëmijë, 96% kundërshtojnë zëvendësimin e termave nënë dhe baba, 95.7% kundërshtojnë futjen e termave të identitetit gjinor në shkolla, dhe 92.1% janë kundër legalizimit të martesave të së njëjtës gjini.

91% e shqiptarëve duan anëtarësim në BE, por 91.1% nuk duan që martesat LGBT të jenë kusht për anëtarësim. Konventa e Stambollit në nenin 3 pika C deklaron qartë se gjinia është burrë dhe grua. 85% mendojnë se prioritet i qeverisë duhet të jenë mbrojtja e familjes dhe lindshmërisë. Fertiliteti është 1.2 lindje për grua dhe mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në 13 vitet e fundit. 94% kërkojnë që ligjet që ndikojnë vlerat morale dhe familjare të vendosen me referendum, jo me votë parlamentare.

Historia është e thjeshtë: larg duart nga fëmijët, larg duart nga familja. Deputetët duhet të përfaqësojnë zërin e popullit, jo axhendat e huaja. Shqiptarët mbeten pro-evropianë dhe pro-vlerave perëndimore, por pa cënuar vlerën familjare".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco