Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

Nesho: SPAK pjesë e shtetit të kapur! Goditja ndaj Ballukut, fillimi i fundit për Ramën

21:38, 30/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Diplomati Agim Nesho, i ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, ka komentuar zhvillimet e fundit në drejtësi dhe goditjet që po ndodhin ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë Rama. Ai u shpreh se SPAK është kthyer në një instrument të kapur politikisht, pjesë e sistemit të ndërtuar për të mbrojtur interesat e kryeministrit dhe për të goditur kundërshtarët e tij.

Sipas Neshos, drejtësia shqiptare është ndërtuar me garanci të qarta për të mos prekur Ramën, por situata tashmë ka ndryshuar. Ai paralajmëroi se momenti aktual do të tregojë nëse SPAK do të godasë realisht korrupsionin apo do të vazhdojë të mbrojë pushtetin.

Duke iu referuar rastit të ministres Belinda Balluku, Nesho tha se ajo është një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës dhe se hetimet ndaj saj mund të jenë “fillimi i fundit politik të kryeministrit”. Ai theksoi se goditja ndaj Ballukut është prova më e fortë për të parë nëse SPAK do të guxojë të shkojë deri në fund, apo do të zbusë goditjen për të shpëtuar Ramën.

Në fund, diplomati theksoi se “nëse drejtësia hesht, atëherë çdo institucion është kapur përfundimisht”, duke shtuar se Edi Rama duhet t’i dalë popullit e të pranojë dështimin e tij.                      

Pjesë nga deklarata:

Nuk ka asnjë dyshim që në një shtet të kapur edhe SPAK është pjesë e institucioneve të kapura nga shteti. E kanë bërë me qëllim, sepse kanë marrë një garanci në fillim ata që e kanë promovuar drejtësinë në Shqipëri dhe i kanë thënë: “Mos prekni Kryeministrin, se ky është garantori jonë.” Por tani situata ka ndryshuar. Ne e kemi thënë dhe më parë që dy janë mundësitë që shihen nga Amerika: ose kjo drejtësi do të godasë dhe do t’i kthejë lekët këtij populli që është vjedhur nga kjo qeveri në pushtet, ose këta do të përfundojnë mandatin e tyre nëse nuk korrigjojnë vetveten.

Unë them që po të jetë kjo, kjo është jashtë asaj marrëdhënieje që ka krijuar deri tani SPAK i ndrojtur, institucion që gjithmonë ka parë se cilat janë interesat e Ramës. Jo për zgjedhjet, jo të dënojmë një ministër për paratë që ka marrë nga kafja dhe restoranti i tij, por jo për inceneratorin. Ashtu si edhe për Belindën, thirrur për një çështje të aneksit, kur dihet që ajo është një nga njerëzit që në botën e huaj thuhet pjesëtare e kuzhinës së Edi Ramës.

Belinda Balluku nuk është as me personalitetin e Arben Ahmetajt, i cili ka qenë edhe para Ramës në politikë. Belinda ka qenë njeriu që e ka shoqëruar atë në entourage-in e Ramës, e preferuara e tij në bashki, që i drejtonte si donte.

Kemi arritur në një pikë ku, me goditjen e Belindës, nesër do të shohim deri ku shkon goditja për Ramën. Belinda është njeriu që lidhet pazgjidhshmërisht me Ramën. Kjo tregohet në shumë gjëra tregohet që njerëzit e preferuar të Belindës sot janë ministra; nuk ka njeri tjetër në PS që të ketë influencë të tillë. Të bëjë deputetë ish-drejtorët e saj, të ketë aq çështje të korruptuara dhe të mos ketë asnjë lëvizje nga institucionet e shtetit për ta dënuar.

Kur ka arritur deri këtu, dyshimi është se është vënë në lëvizje SPAK nga diçka tjetër, ose nuk mund t’i fshehë më dosjet, sepse një ditë do të japë llogari për to. Ky është momenti që do të shihet.

Ajo është thirrur bashkë me avokatin  këtë e thotë shkresa  por do të shikojmë ecurinë. Do të jetë proces i gjatë, sepse këtu luajnë ato interesa që SPAK do të kërkojë të zbusë goditjen ndaj Ramës, i cili nesër është politikisht i vdekur. Të gjithë bashkëpunëtorët e tij kryesorë kanë rënë. Ai duhet që, përpara se Belinda të shkojë atje, Rama të dalë, t’i drejtohet popullit e t’i thotë se “deri këtu e bëra, ndoshta kam bërë këtë ose atë, unë po iki”- dhe të ikë i turpëruar.

Janë aq shumë afera, sa edhe vetë në Kuvendin e Shqipërisë u tha që kjo ministre ka luajtur me 12 miliardë. Ka qenë njeriu i Ramës dhe me dorën e saj është shumë e vështirë që kjo drejtësi të fshehë faktet që tregojnë funksionimin e regjimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco