Osmani e mandatoi për formimin e Qeverisë së re, Kurti në kërkim të aleancave. Prapaskenat e bisedimeve

17:45, 11/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Vendimi vjen pasi një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës u konstitua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.

Tani duhet që Kurti të ketë numrat për të votuar qeverinë.

Gazetarja Albiona Zhitia në një intervistë me Skype me gazetaren Armela Ferko në studion e lajmeve të orës 17:00, zbulon detaje nga prapaskenat e bisedimeve.

“Kurti ka premtuar se brenda afatit ligjor 15 ditor do të dorëzojë emrat e ministrave. Ndërsa mbetet të shihet nëse Kurti i ka numrat sepse gjatë këtyre muajve e gjithë bllokada që ka ndodhur në kuvendin e Kosovës u shkaktua nga mungesa e numrave për krijimin e qeverisë Kurti 3. Kjo shkaktoi bllokadën e ngërçin politik, por si duket tashmë VV ka arritur të bindë disa deputetë të opozitës. Ende janë në bisedime me disa deputetë të LDK. Burimet tona bëjnë me dije se mund të ketë një koalicion zyrtar mes VV e LDK por kjo mund të realizohet vetëm nëse zgjedhjet lokale do të ketë një proges. Të dyja partitë nuk duan të japin më shumë detaje, para zgjedhjeve vendore që do të mbahen nesër pasi do të ndikojnë në elektorat.

Këto janë informacione paraprake që mund të ndryshojnë nga momenti në moment pasi PDK e AAK po tentojnë të bindin LDK që të bëhen bashkë për të mos krijuar mundësi për VV për të krijuar qeverinë” thotë gazetarja Zhitia.

Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

Por, duhen të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për mandatin e tretë në krye të Qeverisë, pasi partia e tij i fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco