Puçi korporatist Sadushi-Begaj dhe rëndësia e transparencës

Puçi korporatist Sadushi-Begaj dhe rëndësia e transparencës

11:41, 11/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili

Transparenca përmes një seance të hapur publike më 16 tetor në Kushtetuese është detyrim absolut.
Në këtë moment transparenca përballë qytetarëve më 16 tetor në mbledhjen e GJ.K është obligim i patjetërsueshëm nëqoftëse themi që Shqipëria është Republikë me një gram demokraci, sepse bëhet fjalë për fatin e Gjykatës më së lartë të shtetit shqiptar.

Transparenca e plotë përmes një seance të hapur publike është detyrim absolut përballë kësaj situate kaq të rëndë me të cilën përballet gjykata për shkak të puçit korporatist.
Edhe vetë mbledhja nuk do të ekzistonte fare nëse pjesëtarët e puçit, përmes vetgjyqësisë, nuk do ta kishin provokuar atë.

Pikërisht për këtë arsye kushdo që do të pengojë ose do t’i kundërvihet transparencës do të vetëzbulohet si pjesëmarrës i puçit, i hapur apo në hije.
Kush ka frikë nga transparenca do të thotë se i hap autostradën makinacioneve të pista antikushtetuese dhe antiligjore për të mbajtur gjallë korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e krimit, narkotrafikut dhe pastrimit të parave.

Më 16 tetor ose Gjykata Kushtetuese me transparencë do t’i japë goditjen vdekjeprurëse puçit korporatist Sadushi–Begaj, që kërkon të rrëmbejë mandatet e saj, ose në të kundërt mandatet e Gjykatës Kushtetuese kthehen në plaçkë tregu dhe pre e mafiozëve brenda sistemit të drejtësisë dhe të politikës.

Transparenca është jetike sepse gjithçka është e qartë për këdo dhe të gjithë e kuptojnë se ata që orkestruan këtë puç antikushtetues përdorën vetgjyqësinë dhe shpërdoruan dhunshëm institucionet që ata drejtojnë për të rrëmbyer me çdo kusht mandatet në funksion të qëllimeve të tyre të mbrapshta.
Arbitri ndërkombëtar i gjithëpranuar, Komisioni i Venecias, është shprehur në mënyrë shteruese se fake sebepi i rrotacionit është një sebep i rrënuar, që i shërben vetëm batakçillëkut shtetëror korporatist.

Më 16 tetor Gjykata Kushtetuese e ka shumë të lehtë të vendosë sepse i mjafton të lexojë opinionin e Venecias që është kaq i qartë.

JA ÇFARË THOTË VENECIA:

Në Opinionin No. 978/2020 CDL-AD(2020)010 “On the appointment of judges to the Constitutional Court” thuhet në paragrafin 107 si vijon:

“️Modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është shumë kompleks dhe, në planin afatgjatë, do të rekomandonte thjeshtimin e tij, në radhë të parë duke hequr rregullin e renditjes. Kuotat e tre organeve emëruese mund të ruhen duke ia caktuar automatikisht rinovimin e një mandati të njëjtit autoritet që kishte emëruar gjyqtarin në largim”.

“Së dyti, duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare. Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithmonë një mandat të plotë nëntëvjeçar, edhe nëse janë zgjedhur me njëfarë vonese ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe; ky ndryshim nuk duhet të krijojë probleme pasi të hiqet sekuenca. Ky ndryshim do ta bënte pozicionin e gjyqtarit kushtetues më tërheqës për kandidatët e kualifikuar, por edhe më kuptimplotë.” (paragrafi 107).

Nuk besoj se asnjë gjyqtar kushtetues do të jetë kundër Venecias dhe të ketë kurajon të vihet në krahun e këtyre kamikazëve korporatistë, që synojnë të rrëmbejnë mandatet e kushtetueses por edhe të vendosin kësisoj një standard, që do t’u lejojë të rrëmbejnë edhe mandate të tjera.

Transparencë, transparencë dhe vetëm transparencë — ky është dezinfektanti i vetëm dhe shërimi ndaj virusit vdekjeprurës të korporatizmit që asgjëson barazinë përpara ligjit dhe shtetin e së drejtës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco