Ku hyn partia, nuk hyn ligji!/ Ish-nënkryetari i Roskovecit me biznes në qendër të fshatit, pa dokumente, nuk paguan taksa

22:30, 10/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në mes të fshatit Suk 1 në Roskovec ndodhet një biznes furnizimi me gaz për pakicë, të cilin e disponon me dokumente z. Hamza Agaçi, vëllai i ish-nën/kryetarit të Bashkisë Roskovec, z. Hysen Agaçi. Ky i fundit është personi që e menaxhon dhe kujdeset që ky biznes të funksionojë ndryshe në letra dhe ndryshe në realitet, pasi në QKB biznesi rezulton të jetë për shitjen me pakicë të bombulave të gazit, ndërsa në realitet funksionon për shpërndarjen dhe furnizimin me pakicë të gazit të lëngshëm.

Për të operuar në biznesin e tregtimit të lëndëve djegëse, duhen një sërë dokumentesh dhe licencash përkatëse, për të cilat z. Agaçi, kur u ballafaqua me gazetarin e emisionit “Piranjat”, Freard Rista, u shpreh i bindur se dispononte çdo dokument, por në realitet gjërat ishin ndryshe.

Përgjigjen e parë e morëm nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila më datë 10 shtator 2025 na informoi se biznesi në fjalë nuk e disponon lejen e duhur mjedisore për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të gazit të lëngshëm. Përgjigjen e dytë e morëm nga Bashkia e Roskovecit. Në shkresën zyrtare që mban datën 19 shtator, institucioni na bën me dije se subjekti në fjalë ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse për tregtimin e gazit të lëngshëm, madje nuk rezulton i regjistruar pranë zyrës së tatim-taksave si biznes aktiv. Dhe këtë shkelje të rëndë ligjore, kryetarja Majlinda Bufi e justifikon me mosidentifikimin e subjektit nga inspektorët e tatim-taksave, si dhe nga Inspektori i Parandalimit në sektorin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

Të mos dish për biznesin e kryetarit të fshatit dhe nën-kryetarit të Bashkisë, nuk duket shumë bindëse. Megjithatë, kryetarja Majlinda Bufi na bën me dije se pas evidentimit të rastit, janë marrë masa për ndërprerjen e aktivitetit dhe vijimin e procedurave të mëtejshme. Gjithashtu, kryetarja sqaron se ka vepruar me dorë të hekurt, duke marrë masa disiplinore ndaj punonjësve përkatës për neglizhencë dhe mospërmbushje të detyrës.

Megjithatë, disa pyetje 1 milionë dollarëshe ja vlen të bëhen:

Në një vend aq të vogël ku çdokush di çdo gjë, si ka mundësi vetëm inspektorët nuk e dinë?

Apo mos ndoshta, miqësia e nën/kryetarit me kryetaren ka qenë më e fortë se ajo kafja e inspektorëve?

Me gjithë këto zjarre që kapluan vendin tonë këtë vit dhe me gjithë këto biznese që po operojnë me miq e me kafe, duke iu shmangur detyrimeve ligjore, shpresojmë që kësaj here kryetarja Bufi ta ketë marrë seriozisht situatën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco