Nga Denisa Vata
Po flas për ujësjellësin e tre njësive administrative Rukaj, Derjan dhe Macukull (pjesërisht) në Bashkinë Mat.
Në dokumente, gjithçka duket model: një kontratë publike me vlerë rreth 12 milionë euro, shpallur dy lotet e para nga Bashkia Mat me procedurë te hapur dhe Loti 3 nga nga ish ‘Ujësjellës Kanalizimet Mat me procedurë te hapur.
Në letër, çdo gjë është perfekte.
Por në terren, sipas banoreve uji vjen një herë në pesë ditë dhe kontratat janë bërë. Çezmat u hapën vetëm për dy javë, në fund të fushatës së 11 majit, për t’u thënë banorëve: ‘shikoni çfarë bëmë për ju’.
Pas zgjedhjeve, çezmat u thanë dhe rrjeti mbeti bosh.
Sipas specialistëve, burimi në Zall Gjocaj nuk ka prurje të mjaftueshme për një ujësjellës të tillë.
Në fakt, projekti duhej të siguronte 165 litra ujë në sekondë, por kjo nuk është arritur.
Edhe sot, në kulmin e sezonit të reshjeve, kur burimet kanë prurjet qe punojnë dhe Hidrocentralet ne te njëjtat burime , popullata nuk furnizohet ujë 24 orë në ditë sipas detyrës së projektimit të këtij ujësjellësi.
Pra, kemi një investim publik rreth 12 milionë eurosh pa bazë teknike, një projekt që është bërë për korrupsion, jo për nevojë reale.
Kërkoj hetim të menjëhershëm për të verifikuar:
• A është zbatuar detyra e projektimit, pra a është garantuar prurja prej 165 litrash ujë në sekondë, siç parashikohej, sidomos në pikun e sezonit kur burimet janë më të pasura, ndërkohë që zona ende nuk furnizohet 24 orë?
• A është respektuar afati kohor i dorëzimit të objektit, pasi punimet janë zvarritur përtej çdo afati kontraktual?
• A është zbatuar projekti sipas kontratës dhe standardeve teknike?
• Pse është zgjedhur burim pa ujë të mjaftueshëm?
• Ku kanë shkuar paratë publike, kur pas gjithë këtyre shifrave e kontratave, banorët e Derjanit e Rukajt dhe Macukullit vazhdojnë të mbeten pa ujë?
Nëse një investim prej 12 milionë euro nuk sjell ujë në asnjë rubinet, kjo nuk është dështim teknik ,është abuzim politik dhe korrupsion.
Përgjegjësia ka emër dhe mbiemër.
Ky ujësjellës nuk u ngrit si projekt teknik, por si projekt elektoral dhe korruptiv.
Ish-kryebashkiaku i Matit, sot deputet i PS-së, e përdori si flamur të fushatës, duke premtuar ‘ujë për 17 fshatra’.
Por sot e vetmja gjë që rrjedh ne çezmat e qytetareve janë gënjeshtrat dhe uji i propagandës.
Dhe ironia më e madhe?
Në garën për kryetar bashkie, po garon ‘noteri i projekteve të Agron Malajt’, jo për të ndërtuar, por për të firmosur çdo dështim me vulë të re, për të marrë në dorëzim investimet e ish-kryetarit, tashmë deputet.
I bëj thirrje SPAK-ut të hetojë menjëherë këtë aferë korruptive, ku fondet publike janë përdorur për propagandë politike,korrupsion dhe jo për interesin e qytetarëve të Matit.
Çdo lek i shpenzuar për këtë ujësjellës që nuk sjell ujë, është vjedhje e pastër e parave të qytetarëve.
© SYRI.net