Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ishte e ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’ në SYRI TV, ku përballë moderatorit Bled Marku deklaroi se stoku i dosjeve gjyqësore në Shqipëri ka arritur në shifrën alarmante prej 400 mijë dosjesh.
‘Pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, u bë e qartë se siguria është zero. Çështja është pse qytetari arriti në atë veprim ekstrem. Ne e kemi trajtuar shumë herë këtë problem, që është zvarritja e gjyqeve,’ u shpreh Xhixho.
Sipas saj, është e domosdoshme të kuptohen shkaqet që kanë sjellë këtë situatë për të arritur drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
‘Në fakt duhet të kuptojmë shkaqet për të arritur për të rregulluar këto pasoja dramatike që ka sjellë reforma në drejtësi, që u nis me një qëllim shumë të madh, që të arrinte një drejtësi të shpejtë, efikase dhe me integritet,’ shtoi deputetja.
Xhixho kujtoi se kanë kaluar pothuajse një dekadë nga nisja e reformës në drejtësi në vitin 2016, ndërsa rezultatet, sipas saj, janë zhgënjyese.
‘Vijmë pas pothuajse një dekade, që prej 2016 dhe bëjmë një analizë se çfarë efektesh ka sjellë kjo reformë në drejtësi. Sot fatkeqësisht 90% e shqiptarëve nuk marrin drejtësi. Nga të dhënat që kemi, 78% e çështjeve në gjykatë janë tej afateve të një procesi të rregullt ligjor.’
Deputetja e Partisë së Lirisë e cilësoi situatën si dramatike, duke theksuar se vetëm në shkallën e parë të gjyqësorit ka mbi 200 mijë dosje stok, ndërsa në total, në të gjitha shkallët, numri i tyre i kalon 400 mijë.
‘Janë mbi 200 mijë dosje stok, avokatët dhe miqtë e mi më korrigjuan dhe më thanë se këto janë vetëm të shkallës së parë, sepse nëse merr shkallët e gjyqësorit janë mbi 400 mijë dosje. Pra mbi 2/3 e popullsisë sot nuk merr drejtësi,’ tha ajo.
Xhixho shtoi se vonesat në proceset gjyqësore janë kthyer në një pengesë serioze për qytetarët shqiptarë.
‘Sot për të kaluar 3 shkallët e gjyqësorit, shkon nga 12 në 15 vite. Para 2016 ti ke pasur një bilanc, që brenda 4 vitesh merrje një vendim gjykate, sot ti e merr drejtësinë pas 15 vitesh.’
Në përfundim, ajo akuzoi se harta e re gjyqësore ka qenë një ndër vendimet më të dëmshme për sistemin.
‘Harta e re gjyqësore bëri damkën më të madhe të kësaj reforme gjyqësore.’
© SYRI.net