Krifca dhe Rama i përlanë fondet e IPARD/ OLAF: Asnjë euro më pa marrë masa konkrete

Krifca dhe Rama i përlanë fondet e IPARD/ OLAF: Asnjë euro më pa marrë masa konkrete

16:59, 10/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Seminari vjetor AFCOS 2025, i zhvilluar në Tiranë më 8-9 tetor, u mbajt në një moment delikat për Shqipërinë, pas skandalit të qeverisë me fondet e IPARD, që tronditi besimin e Bashkimit Europian mbi menaxhimin e fondeve të tij në vend.

Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme në Detyrë e OLAF-it, Salla Saastamoinen, zhvilloi takime me zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshirë Ministrin e Financave Petrit Malaj dhe kreun e SPAK, Altin Dumani, duke theksuar domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të mekanizmave kundër mashtrimit financiar.

Saastamoinen theksoi rëndësinë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Veprimit Kundër Mashtrimit 2025–2030, që synon të fuqizojë Shërbimin e Koordinimit Kundër Mashtrimit (AFCOS) dhe të garantojë menaxhim të shëndoshë financiar në përputhje me standardet e BE-së. “Qasja jonë është parandalimi, jo vetëm ndëshkimi,” u shpreh ajo, duke theksuar se dialogu i rregullt me institucionet shqiptare është thelbësor për besueshmërinë e procesit të integrimit.

Në takimin me kreun e SPAK, Saastamoinen ofroi ekspertizën e OLAF për të mbështetur hetimet e rasteve komplekse të mashtrimit me fondet e BE-së — një sinjal i qartë për transparencë dhe bashkëpunim të thelluar. Dosja e abuzimeve me fondet e Programit IPARD II ndodhet tashmë në duart e SPAK, pas hetimit të gjerë të OLAF, që konstatoi shkelje të rënda dhe parregullsi në proceset e përzgjedhjes dhe zbatimit të projekteve.

Hetimet zbuluan se aplikantëve u kërkohej të paguanin pjesë të granteve te kompani lokale konsulence, ndërsa kontratat jepeshin pa konkurrencë ose përmes garash të manipuluara me oferta të rreme. U konstatuan gjithashtu çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale nga institucionet përgjegjëse.

Si rezultat, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të mos njohë 33 milionë euro të financimit të Thirrjeve të Para dhe të Dyta të IPARD II, duke i cilësuar si të papranueshme. Po ashtu, organizata paralajmëroi pezullimin e 112 milionë eurove të tjera nga fondet IPARD III, derisa qeveria shqiptare të marrë masa korrigjuese dhe garanci për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Në përfundim të seminarit, mesazhi i Brukselit ishte i prerë: Bashkimi Europian nuk do të tolerojë më keqpërdorimin e fondeve dhe kërkon nga Shqipëria transparencë të plotë, llogaridhënie dhe reforma efektive në menaxhimin e fondeve publike, në mënyrë që rruga drejt anëtarësimit në BE të mos cenohet nga abuzimet burokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco