Aktivisti dhe ish anëtari i Nismës “Thurje” Panajot Soko ka publikuar një shënim në faqen e tij në facebook ku bën thirrje që të votohet kandidati i pavarur Florjan Binaj, i mbështetur nga Partia Demokratike, për Tiranën.
“Tirana sot, e më pas Shqipëria nesër, duhet të shkëputet nga e keqja. Do të jetë një rrugë e gjatë... por fitorja e Florit është një fillim i mbarë!", shkruan ai.
Postimi
Me Florin jam njohur nëpër protesta. Nuk e mbaj mend fiks kur ka qenë hera e parë, por e di që ngaqë shiheshim sistematikisht në çdo protestë, vetvetiu u bëmë miq.
Jashtë protestave nuk takohemi aq sa do të donim. Më shumë flasim në telefon, ose sms.
Natyrisht, ai ka 3 fëmijë, unë kam 2, jeta profesionale, emisionet, aktivitetet, angazhimet... nuk lënë shumë hapësirë. Por sa herë takohemi, është kënaqësi.
Flori është një djalë i ndershëm. Një virtyt që po zhduket nga raftet e shoqërisë sonë.
Njeri me mendje të pastër. Nuk shtiret. Është ashtu siç duket.
Punëtor deri në lodhje. Sa herë flasim, është me axhendë si program qeverisës: “Do marr fëmijët, do çoj çunin në sport, do çoj gocën tek kursi, kam këtë projektin, do regjistroj Piranjat, do xhiroj filmin, kam reklamën, do takoj filanin…”
Dhe ky muhabet është çdo herë..
Shkurt e saktë, për mua, Flori është qytetari model.
Familjar, punëtor, i ndershëm, i pastër si figurë.
Kaq!
Eshtë shablloni që duhet të formatojë modelin e shërbyesit publik, pasi vetëm modele të tilla mund të transformojnë Shqipërinë.
Prandaj është kënaqësi të jem krah tij në garën për kreun e Bashkisë. Përballë gjithë anti-modelit që vjen nga krahu tjetër.
Jam i bindur që shumica e mendon si unë. Tirana sot, e më pas Shqipëria nesër, duhet të shkëputet nga e keqja. Do të jetë një rrugë e gjatë..
Por fitorja e Florit është një fillim i mbarë!
© SYRI.net