Lajmi i fundit

Sërish helmim tek Akademia e Policisë në Tiranë

VIDEO/ Hoxhaj: Yuri Kim veproi si zëdhënëse, ndërmjetësoi marrëveshjen e ‘Tigrave’ që po rëndon xhepat e shqiptarëve

19:58, 30/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Juljan Hoxhaj ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në edicionin informativ ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, ku komentoi zhvillimet më të fundit në lidhje me përfshirjen e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim në marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe disa kompanive të mëdha amerikane.

Sipas tij, sjellja në Shqipëri e dy anijeve për prodhim energjie ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3’ nga një kontratë e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe kompanive ‘Excelerate Energy’ dhe ‘Exxon’, nxorri në dritë faktin se, roli i Yuri Kim kishte shkuar përtej asaj që përfaqëson detyra e një diplomate.

‘Në Shqipëri ka shumë kompani amerikane, por rasti i kompanisë ‘Exelerate Energy’ dhe ‘Exxon’ janë dy raste të paprecedenta sepse Yuri Kim ka shërbyer si zëdhënëse e këtyre kompanive në momentin që ato kanë nënshkruar marrëveshjen me qeverinë shqiptare,’ u shpreh Hoxhaj.

Sipas gazetarit, përmes faqes zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë, Kim ka shpërndarë mesazhe urimi dhe mirënjohjeje për ardhjen e këtyre kompanive, duke dalë hapur në mbështetje të tyre në publik.

‘Nëpërmjet faqes zyrtare të ambasadës ka shpërndarë mesazhe, shprehje mirënjohje, urimi që këto dy kompani kanë ardhur në Shqipëri. Ajo ka qenë ndërmjetëse dhe negociatore dhe këtë e ka thënë Belinda Balluku publikisht dhe është një fakt i dokumentuar, që e ka falënderuar për sjelljen e dy tigrave që sot po rëndojnë xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe nga ana tjetër ka bërë dhe zëdhënëses, duke propaganduar ardhjen e dy anijeve të dështuara në Vlorë,’ tha Hoxhaj.

Në vijim të intervistës, gazetari solli në vëmendje dhe një tjetër detaj të rëndësishëm që lidhet me ambiciet personale të Yuri Kim për karrierën e saj diplomatike.

 ‘Ajo që kanë thënë ish-zyrtari i DASH, kanë aluduar se Yuri Kim duke përdorur qeverinë shqiptare dhe Ramën, me lidhjet e tij të forta me administratën Biden, prisnin që ajo të merrte një emërim si ambasadore e SHBA në Turqi,’ deklaroi ai.

Në përfundim, Hoxhaj theksoi se mbështetja e hapur që Yuri Kim i ka dhënë kryeministrit Edi Rama, ka ardhur jo për interesa shtetërore, por për ambicie personale dhe në dëm të opozitës shqiptare.

 ‘Yuri Kim mbështeste hapur Edi Ramën për interesa personale, përfshirë dhe karrierën si diplomate dhe nga ana tjetër godiste opozitën shqiptare,’ përfundoi gazetari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco