Mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për një mocion debati lidhur me programin e qeverisë. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, PS refuzoi edhe miratimin e një rezolute për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Opozita e cilësoi këtë si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të shuar zërin e Kuvendit dhe për ta kthyer Shqipërinë në një republikë kryeministrore.
Mazhoranca bllokoi sërish debatin për programin e qeverisë, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për një mocion debati lidhur me shtyllat e qeverisjes së Edi Ramës dhe për procesin e integrimit, si një nga prioritetet e shpallura të qeverisë. Megjithëse kanë bërë propagandë me integrimin, socialistët shtynë sërish debatin parlamentar, duke mos u dakordësuar për një datë për mocionin e debatit, të kërkuar nga demokratët.
Justifikimi i mazhorancës, i artikuluar nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, ishte se kërkesa nuk është e formuluar mirë. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës, Gazment Bardhi dhe Tedi Blushi, e cilësuan këtë refuzim si tregues të mungesës së bilancit dhe programit të qeverisë.
Në Konferencën e Kryetarëve pati debate edhe për Kosovën. Ndërsa Partia Demokratike kërkoi zhvillimin e një debati për gjenocidin serb në Kosovë dhe finalizimin me një rezolutë të miratuar në Kuvend, mazhoranca sërish refuzoi të miratonte një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Ashtu siç i janë shmangur debatit parlamentar, socialistët iu shmangën edhe çështjes së Veliajt. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, refuzoi t’i kthejë përgjigje pyetjeve të Syri Televizion, lidhur me ankimimin që ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri në Gjykatën Kushtetuese vendimit për shkarkimin e tij.
© SYRI.net