Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, në një intervistë për Syri TV deklaroi se programet ekonomike të paraqitura nga qeveria, megjithëse duket se kanë objektiva ambicioze, shpesh kanë mangësi në aspektet e realizueshmërisë dhe të analizës së kushteve ekonomike reale.
Ai theksoi se disa premtime, si dyfishimi i pensioneve dhe rritja e pagës minimale, mund të duken tërheqëse në pamje të parë, por ato nuk janë të mbështetura nga një strategji konkrete që merr parasysh zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet që duhet të ndodhin për t'i realizuar.
Në intervistën e tij, Muço theksoi disa çështje të rëndësishme, të cilat përbëjnë shqetësime për mundësinë e realizimit të këtyre objektivave dhe ndikimin e mundshëm që këto ndryshime mund të kenë në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve
Pjesë nga deklarata:
Të nisim nga fillimi i programit, i cili në të gjitha rastet fliste deri në vitin 2030. Por në të vërtetë, një program ekonomik duhet të ketë hapa të qartë për çdo vit, 1 vit, 2 vite, 3 vite, pasi mandati përfundon në vitin 2029 dhe jo në vitin 2030. Ky ishte aspekti i parë që binte në sy.
Nëse e shikojmë këtë program nga këndvështrimi social, ai është thelbësor për integrimin në BE, sepse integrimi në vetvete përfshin edhe arritjet e nivelit të mirëqenies së qytetarëve, dhe është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. E nisim nga pensionet, ku u premtua se pensioni mesatar brenda vitit 2030 do të arrijë në 400 euro. Por sot, pensioni mesatar, së bashku me bonusin në fund të vitit dhe pranverë, është 207 euro për person. Në momentin që diskutohet të arrijë në 400 euro mesatarisht, dhe duke pasur parasysh se kemi rreth 726 mijë pensionistë, do të duhen rreth 1.7 miliardë euro më shumë në vit për të arritur në fondin e pensioneve. Kjo është diçka e parealizueshme.
Dyfishimi i pagesës për personat me aftësi të kufizuara është një synim që uroj të realizohet. Kur kalojmë tek paga minimale, ajo që ka ndodhur në katër vitet e fundit, sipas raportit të Bankës Botërore nga 2015-2023, është se ka pasur një rritje të pagës, por kjo rritje e pagës reale nuk është shoqëruar me një rritje të produktivitetit. Nga njëra anë kemi rritje të pagës minimale, ndërsa nga ana tjetër kemi ulje të produktivitetit. Ligjet e ekonomisë thonë se paga minimale duhet të rritet në përpjesëtim me produktivitetin. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, që tregon se diçka nuk shkon, ose në një farë mënyre tregon që këto paga janë rritur përmes ndikimit të ligjit dhe jo sipas kushteve të ekonomisë.
Paga minimale në BE është një tjetër çështje. Sot, 17 vende në BE nuk kanë një pagë minimale, ndërsa ata që e kanë, nuk mund ta rrisin atë në mënyrë të vazhdueshme, sepse nëse e rrit paga minimale, është një tregues që tregon paaftësinë për të luftuar informalitetin e pagave, dhe je i detyruar ta bësh këtë me ligj.
Konkretisht, në administratën publike, paga është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe nëse do të ndiqej me produktivitet, do të thoshte të merrje shërbimin më të mirë, më efikas dhe me kosto më të reduktuar. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur. Kjo rritje e pagës mund të jetë bërë për qëllime të caktuara, për të zgjidhur ose frenuar skemën e pensioneve, ose mund të jetë bërë për arsye elektorale. Përcaktimi i pagesës me ligj, në disa raste, duhet të marrë parasysh edhe kostot e jetesës dhe duhet të lidhet me atë që ishte premtuar në program, e cila, shpresoj, të realizohet, siç është pensioni minimal.
Kostoja e jetesës ka kaluar vlerën e 200 eurove. Nga viti në vit shohim rritje të çmimeve dhe të kostos së jetesës, dhe në momentin që kemi ende pensionin në zona rurale prej 11 mijë lekësh të reja, do të ishte e nevojshme një plan konkret për të arritur në nivelin e 200 eurove. Kjo nuk u përmend as në program.
Infrastruktura në program ishte ambicioze, por nëse realizohet, do të duhen miliarda euro dhe, në disa raste, mund të kalonte në absurditet. Sa i përket projektit ‘20 Marina’, tregu shqiptar i turizmit nuk ka nevojë për një shërbim të tillë. Duket sikur po heqim të gjitha portet që janë përdorur për transportin e mallrave dhe po i transformojmë ato në marina. Por tregu shqiptar ka nevojë për porte transporti të produkteve. Në infrastrukturë u përmendën 700 km rrugë të reja që lidhin veriun me jugun, rrugë të cilat do të jenë me pagesë, dhe kjo do të rrisë kostot e jetesës. Uroj që të ketë një masë për heqjen e taksës nga çmimi i naftës, sepse, nëse rrugët janë me pagesë, nuk kemi pse të paguajmë dy herë.
© SYRI.net