Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Shifrat e INSTAT konfirmojnë dështimin e turizmit: Gushti me rënie të importeve, ekonomi në ngadalësim

Shifrat e INSTAT konfirmojnë dështimin e turizmit: Gushti me rënie të importeve, ekonomi në ngadalësim

14:40, 19/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT hedhin poshtë propagandën qeveritare për një sezon turistik rekord. Importet e Shqipërisë në gusht – muaji i pikut turistik – u ulën me 2.7% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke rënë nga 69 miliardë lekë në vetëm 67 miliardë.

Ky zhvillim është domethënës, pasi gushti është muaji ku pritet që turizmi të gjenerojë konsum, rritje të shpenzimeve dhe frymëmarrje për ekonominë. Por në vend të kësaj, shifrat tregojnë një sezon të vakët, që nuk arriti të përkthehej në rritje të ndjeshme të ekonomisë kombëtare.

Një trend i përgjithshëm rënieje

Rënia e gushtit nuk është rast i izoluar. Në total për periudhën janar-gusht, importet shqiptare kanë rënë me 2.1%, duke reflektuar një tendencë të qartë ngadalësimi ekonomik. Grupet më të prekura janë “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” (-1.7 pikë përqindje) dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” (-1.2 pikë përqindje). Pra, jo vetëm konsum më i ulët, por edhe investime më të pakta në ekonomi reale.

Nga ana tjetër, rritje modeste kanë pasur vetëm importet e ushqimeve dhe produkteve të konsumit të menjëhershëm, duke treguar se ekonomia ushqehet më shumë me shpenzime bazike sesa me investime zhvillimi.

Eksportet, një tjetër tregues alarmi

As në krahun e eksporteve situata nuk është më e mirë. Shifrat tregojnë tkurrje të vazhdueshme në terma realë, ndërsa rritja minimale që raporton INSTAT interpretohet si pasojë e një manovre statistike. Ky fakt tregon dobësinë e kapaciteteve prodhuese dhe rënien e konkurrueshmërisë në tregjet e huaja.

Konkluzioni: një vit me rritje të ulët ekonomike

Të gjitha treguesit e tregtisë së jashtme dëshmojnë për dobësim të pulsit ekonomik. Në vend të “rekordeve turistike” që u përdorën nga qeveria si kartë propagandistike, Shqipëria po përballet me shifra negative që paralajmërojnë një vit me rritje të ulët ekonomike.

Turizmi i shpallur si shpëtimtar i ekonomisë nuk solli efektin e premtuar, ndërsa retorika e qeverisë po bie ndesh gjithnjë e më shumë me realitetin e treguesve zyrtarë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco