Abuzimi i qeverisë shqiptare me fondet e BE-së në të kaluarën, ka sjellë shqetësim në Bruksel. Për këtë arsye, një delegacion nga Komisioni për Kontrollin Buxhetor, ka përfunduar një mision në vendin tonë, duke shqyrtuar masat ekzistuese për mbrojtjen e fondeve që vijnë nga BE-ja. Shqetësimi i BE-së ka ardhur në rritje, sidomos pas abuzimit të qeverisë shqiptare me fondet e IPARD II, duke sjellë më pas edhe bllokimin e fondeve për IPARD III.
SYRI TV
Bashkimi europian duket i shqetësuar për abuzimin e fondeve të tyre nga qeveria shqiptare në të kaluar. Për këtë arsye, një delegacion nga Komisioni për Kontrollin Buxhetor, i udhëhequr nga Kryetari Niclas Herbst, ka përfunduar një mision në vendin tonë, si dhe në Mal të Zi, duke shqyrtuar masat ekzistuese për mbrojtjen e fondeve që vijnë nga BE-ja. Sipas njoftimit zyrtar, eurodeputetët vlerësuan ngritjen dhe funksionimin fillestar të mekanizmave të rinj të kontrollit dhe auditimit të krijuar në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (RGF), i cili synon të garantojë menaxhimin e shëndoshë financiar të fondeve të BE-së. Herbst theksoi ndër të tjera se mbeten ende shqetësime serioze mbi faktin se si do të përdoren fondet e RGF-së.
Sfidat përfshijnë korrupsionin e rrënjosur, krimin e organizuar, rreziqet e prokurimit me vonesa kronike në infrastrukturë, organet mbikëqyrëse që përballen me trysni politike, ndjekjen e dobët gjyqësore me gjykata të mbingarkuara, margjinalizimin e shoqërisë civile, keqpërdorimet e fondeve në të kaluarën në Shqipëri, si dhe mbështetjen me tepri të Malit të Zi te turizmi dhe pasuritë e paluajtshme.
Pas vizitës, z. Herbst tha:
“RGF është një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor, por suksesi i tij varet nga besueshmëria dhe qeverisja e fortë. Gjatë misioneve në Mal të Zi dhe Shqipëri, ne vlerësuam nëse ekzistojnë themelet për menaxhim të shëndoshë financiar, auditim të pavarur dhe një qasje me tolerancë zero ndaj mashtrimit dhe korrupsionit. Mali i Zi mbetet pararendës, megjithatë të dy vendet kanë përparuar me përafrimin e kornizave të tyre ligjore dhe institucionale me standardet e BE-së, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, rikuperimin dhe konfiskimin e aseteve, si dhe luftën kundër pastrimit të parave. Diskutimet me ministritë e financave dhe koordinatorët e RGF-së konfirmuan se mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe auditimin janë krijuar dhe funksionojnë”.
“Jemi të bindur se në dy deri në tre vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria do të tregojnë rezultate të prekshme duke i kushtuar burime zbatimit, duke siguruar pavarësinë gjyqësore dhe të auditimit, si dhe duke mundësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Parlamenti Europian do ta monitorojë nga afër zbatimin, pasi është në lojë besueshmëria e vetë procesit të zgjerimit të BE-së”.
Shqetësimi i BE në lidhje me keqpërdorimin e fondeve vjen natyrshëm, pas skandalit të pak kohëve më parë, kur qeveria shqiptare abuzoi me fondet e IPARD II, dicka që më pas bëri që Bashkimi Europian të bllokojë plotë 112 milionë euro fonde, të cilat do të duhet të ishin mbështetje për fermerët shqiptarë
© SYRI.net