Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

'Kuvendi u kthye në cirkun personal të Ramës'/ Saraçi: Jeta parlamentare nis me hetimin e manipulimit të zgjedhjeve, aferën McGonigal...

'Kuvendi u kthye në cirkun personal të Ramës'/ Saraçi: Jeta parlamentare nis me hetimin e manipulimit të zgjedhjeve, aferën McGonigal...

09:57, 19/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kuvendi i Shqipërisë u kthye dje në një shfaqje teatrale të parapërgatitur nga kryeministri Edi Rama, i cili në vetëm pesë minuta miratoi qeverinë dhe programin e tij duke i mohuar fjalën opozitës.

Kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, e cilësoi ngjarjen një “cirk të mirëorganizuar”, ku qëllimi kryesor ishte nënshtrimi i opozitës dhe shndërrimi i saj në spektatore të shfaqjes së Ramës.

Sipas Saraçit, Rama po përpiqet të krijojë një “normalitet teatral” duke futur në skenë edhe Diellën, figurë e cila u kthye në simbolin e manipulimit politik. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë thjesht për shkelje kushtetuese dhe ligjore, por për një strategji të qëllimshme që ka për synim largimin e vëmendjes së publikut nga problemet reale të qytetarëve dhe fokusimin tek spektaklet boshe të kryeministrit.

“Diella nuk është gjë tjetër veçse një makinë llogaritëse e Edi Ramës për të numëruar nesër milionat e tenderave dhe prokurimeve publike”, tha Saraçi.

Ai shtoi se Parlamenti nuk mund të quhet funksional pa nisur hetimet për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, aferën Rama–McGonigal, inceneratorët dhe fondet e AZHBR-së. Pa këto hetime, sipas tij, jeta parlamentare është e vdekur që në nisje.

Saraçi: 

Ai i djeshmi ishte një cirk i parapërgatitur, dhe qëllimi në këtë cirk ishte futja në lojë dhe nënshtrimi i opozitës për t’u bërë spektator i këtij cirku.

Pra, opozita dje kishte mundësinë që të bëhej spektatore ose kritike arti e këtij cirku ose të vepronte dhe të reagonte për të mos pranuar këtë shfaqje teatrale dhe të reagonte qoftë edhe në formën që reagoi.

Qëllimi i drejtpërdrejtë i Edi Ramës ka qenë që opozita të bëhet pjesë e këtij normaliteti teatral që po përpiqet të ndërtojë kryeministri me Diellën e tij.

Është një lëvizje e qëllimshme, jo se ka ndonjë gjë thelbësore, veçse shkeljeve kushtetuese dhe ligjore me futjen e Diellës në Kuvend, me bërjen e Diellës ministre etj, është vetëm pjesa e shkeljeve ligjore, që atij nuk është se i plas shumë për Kushtetutë e për ligje.

Qëllimi është përqendrimi i opinionit publik i problemeve dhe i halleve të qytetarëve tek kjo shfaqja me Diellën, se në fund fare çfarë është Diella, është një makinë llogaritëse e Edi Ramës për të numëruar nesër milionat e tenderave dhe prokurimeve publike.

Unë mendoj që Parlamenti shqiptar duhet të hyjë në normalitet në ditën që do të ngrihet komisioni hetimor për hetimin e manipulimit të 11 majit, nëse jeta parlamentare nuk fillon me hetimin për manipulimin e zgjedhjeve, për mua ai parlament nuk ka nisur.

Jeta parlamentare duhet të fillojë me hetimin e aferës Rama–McGonigal, duhet të fillojë me rihetimin e inceneratorëve e cila vazhdon të rëndohet krimi me planin në emër të BE-së. Duhet të rifillojë me hetimin e fondeve të AZHBR-së etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco