Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, në një postim në rrjetin social Facebook, ka reaguar ashpër ndaj shndërrimit të seancës parlamentare të ditës së sotme në një akt të pastër provokimi nga Kryeministri Edi Rama.
Balliu shprehet se në vend që të përballej me akuzat dhe denoncimet e opozitës, Rama, zgjodhi të poshtërojë institucionin e Parlamentit duke instaluar një “robot” për të lexuar fjalimet e parapërgatitura, duke mbyllur dyert për mediat dhe duke mohuar të drejtën e fjalës për deputetët opozitarë.
Balliu e cilëson këtë veprim si një atentat të hapur ndaj parlamentarizmit dhe një tjetër dëshmi e qartë e degradimit të një qeverie që, sipas tij, ushqehet nga lidhjet me krimin e organizuar.
Postimi:
Edi Rama, atentat ndaj parlamentarizmit
Seanca e sotme, e parashikuar për të trajtuar dhe demaskuar mashtrimet e radhës të Edi Ramës, u shndërrua në një akt të turpshëm provokimi nga vetë Kryeministri, i cili me arrogancë shkeli Kushtetutën, Rregulloren, ligjin dhe çdo standard demokratik.
Në vend të përballjes me opozitën, ai zgjodhi të poshtërojë institucionin e Parlamentit, duke futur një “robot” që lexon fjalime të parapërgatitura, ndërkohë që kufizon praninë e mediave dhe u mohon deputetëve të drejtën themelore të fjalës.
Ky degradim i parlamentarizmit është pasqyrë e natyrshme e një qeverisjeje që ka dalë nga aleanca me krimin e organizuar dhe që ushqehet prej tij.
Sulmet e tij të ulëta personale ndaj familjes sime nuk janë gjë tjetër veçse dëshmi e nivelit ku ka rënë Edi Rama. Unë refuzoj të bie në baltën e tij, por jam i gatshëm të debatoj publikisht mbi lidhjet e tij të errëta me krimin e organizuar.
© SYRI.net