Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta anti-qeveritare në ditën e 17-të, qytetarët marshojnë në kryeqytet

Korporatizmi, pra Republika okulte, degradon në 'KÇK' mandatet e Gjykatës Kushtetuese!

Korporatizmi, pra Republika okulte, degradon në 'KÇK' mandatet e Gjykatës Kushtetuese!

13:32, 18/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili 

Korporatizmi në drejtësi po ecën pa u ndalur, duke e kthyer atë realisht në një sekt, që ka rrëmbyer dhe kontrollon në mënyrë okulte të gjithë pushtetin real në drejtësi dhe më gjerë.
Mandatet e sistemit të drejtësisë janë kthyer në një pazar të ndyrë, që konsumohet haptas në mes të sheshit.

Anëtarë të Gjykatës së Lartë, të mandatuar për 9 vjet siç Kushtetuta e përcakton, e lënë mandatin pa asnjë shkak, dhe pa një, pa dy, hidhen për të kapur mandat në Gjykatën Kushtetuese.

Vajmedet për integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe të mandateve të gjyqtarëve, që për turp e faqe të zezë janë kthyer në një “KÇK” të vërtetë – pra kap ç’të kapësh!

I njëjti Kryetar i Gjykatës së Lartë, që aktualisht drejton KED, projekton anëtarin e Gjykatës që drejton vetë, përmes pikëve maksimale, në mënyrë që t’i mundësojë kapjen e mandatit për Gjyqtar Kushtetues, megjithëse ky ka lënë në mes – pas vetëm tre vjetësh e pa asnjë shkak – mandatin kushtetues 9-vjeçar si gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

E pabesueshme, por e vërtetë!
Është po i njëjti Kryetar i Gjykatës së Lartë, që pak muaj më parë vetërrëmbeu kompetencat dhe vetëshpalli vakancën në Kushtetuese, që sot po përgatit edhe zëvendësuesit.

Po kështu, Kryetarja e KLGJ-së bëhet gati të rrëmbejë mandatin për gjyqtare Kushtetuese, e klasifikuar nga po ky Kryetar i Gjykatës së Lartë, i cili ishte nisëm­tari i lojës korporatiste me mandatet e Kushtetueses, dhe që pati si aleat edhe Presidentin Begaj.

Korporatizmi po e kthen drejtësinë në një mafie të vërtetë të jakave të bardha, duke e bërë atë objekt pasurimi të jashtëzakonshëm financiar dhe trafiku influencash të larta politike, duke ligjëruar Republikën okulte, që vepron fuqishëm dhe egërsisht në prapaskenë.

Korporatizmi është varri i Reformës në Drejtësi dhe i barazisë përpara ligjit.
Përballë tij, e gjithë politika është jashtëzakonisht e rrezikuar, dhe ajo duhet të reagojë fort, për të mos u kthyer në viktimën e madhe të Republikës okulte dhe instrumenteve e personazheve mafiozë të saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco