Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta anti-qeveritare në ditën e 17-të, qytetarët marshojnë në kryeqytet

Vakanca në Kushtetuese, KED miraton 'listën Sadushi'

Vakanca në Kushtetuese, KED miraton 'listën Sadushi'

11:56, 18/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka miratuar mbrëmjen e së Mërkurës pikëzimin e kandidatëve për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të gjyqtares dhe njëkohësisht kryetares, Holta Zaçaj.

Lista me 6 emra kryesohet nga kandidatë, të cilët konsiderohen si pjesë e “listës së Sokol Sadushit”, kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. 

Këto emra më pas do t’i dërgohen Gjykatës së Lartë, e drejtuar sërish nga Sokol Sadushi, për të emëruar njërin prej tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Në krye të listës me 89.5 pikë qëndron Asim Vokshi, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe koleg me Sokol Sadushin. Vokshi u emërua gjyqtar i lartë në vitin 2021, pas një procedure të gjatë. Por, pa mbushur 3 vjet të mandatit të tij në Gjykatën e Lartë, gjyqtari Vokshi vendosi që të largohet prej saj, për të marrë një post në Gjykatën Kushtetuese.

Prej disa muajsh, në korridoret e drejtësisë është përfolur se Asim Vokshi është piketuar nga shefi i tij aktual, Sokol Sadushi, për të marrë drejtimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Në vendin e dytë në listën e miratuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është Naureda Llagami, e cila është vlerësuar me 89.3 pikë. Llagami, ish-drejtuese e Këshillit të Lartë Gjyqësor, është produkt i forndacionit “Soros”, sipas biografisë profesionale të publikuar prej vetë saj. 

Naureda Llagami ka qenë e planifikuar shumë herët për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Sipas disa mesazheve të publikuara në media, Llagami, që në dhjetor të vitit 2023, kur ishte ende kryetare e KLGJ-së, diskutonte me persona të afërt me të për mundësinë që të emërohej në Kushtetuese. Ajo e bisedonte këtë temë me ish-kryetaren e Komisionitt ë Ligjeve, Klotilda Bushka, edhe kjo e fundit produkt i Soros-it.

Lista e kandidatëve të miratuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Sokol Sadushi, përfshin edhe tre ish-zyrtarë të Vetingut, struktura të përzgjedhura me ndikimin e drejtëpërdrejtë të deputetit socialist dhe njeriut që e konsideron veten si “babai i Reformës në Drejtësi”, Fatmir Xhafaj, një lidhje e ngushtë e Sokol Sadushit.

Florian Ballhysa, ish-Komisioner Publik i Vetingut, është vlerësuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me 77.83 pikë. Pas tij vlen ish-komisionerja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Alma Faskaj, me 77.77 pikë. 

Faskaj pasohet nga ish-shefja e saj, ish-drejtuesja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Bungo Tafa, e cila është vlerësuar me 75.44 pikë. Si ish-drejtuese e Vetingut, Genta Bungo është akuzuar shpesh publikisht se ka aplikuar një “listë politike” për shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk ishin dashamirës me linjën pro-qeveritare të Partisë Socialiste.

Lista prej 6 kandidatësh mbyllet me Alban Toron, një ish-anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjithashtu i akuzuar publikisht për shkelje të rënda ligjore në emërimin e tij si pjesë e qeverisë së gjyqësorit. 

Pas pikëzimit, emrat e kandidatëve pritet të shqyrtohen në një kohë të shpejtë nga Gjykata e Lartë, e cila, nën drejtimin e Sokol Sadushit, do të zgjedhë gjyqtarin e ri kushtetues.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco