Gazetari Everest Dedaj, nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto”, komentoi zhvillimet më të fundit politike në vend, duke vënë theksin tek mënyra sesi mazhoranca po e ushtron pushtetin pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Ai nënvizoi se 83 mandatet e fituara nga mazhoranca nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht vullnetin e qytetarëve, pasi zgjedhjet u cilësuan nga raportet ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, si të kontestuara dhe pa elementët kyç demokratikë që garantojnë një proces të lirë dhe të ndershëm.
Dedaj tha se kjo sjellje tregon një mentalitet të një mazhorance arrogante, e cila nuk respekton rregullat e lojës parlamentare dhe po përdor ndryshimet e njëanshme të rregullores për të minimizuar rolin e opozitës.
Sipas tij, 'shpikja' e disa komisioneve të pavlera për opozitën, si dhe ndarja e çështjeve që ishin të grupuara në mënyrë të fragmentuar, nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të krijuar iluzionin e pjesëmarrjes, ndërkohë që realisht opozita mbetet me një komision nga 11 të tjerët, dhe shumica e çështjeve drejtohen nga mazhoranca.
Deklarata e tij:
"Është një moment i rëndësishëm duke marrë parasysh faktin se ai insert që sapo ndoqëm tregon një mendësi me të cilën do të duhet ose po kërkon të sillet kjo mazhorancë.
Pasi mori 83 mandate nëpërmjet zgjedhjeve të kontestuara, totalisht zgjedhje që nuk e thonë gazetarët, mediat apo opozita, por e thonë raportet e OSBE/ODIHR që mungonin të gjitha elementet kyç që e cilësojnë një proces të rregullt zgjedhor, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Të dyja parimet kanë rënë dhe këtu kemi tendencën për të pasur një mazhorancë arrogante dhe jo vetëm.
Ndoshta po ndodh për herë të parë pas 33 vitesh ku një mazhorancë ndërron rregulloren në mënyrë të njëanshme, kërkon që ta fusë opozitën në një proces që është fasadë, shpik disa komisione për opozitën që janë të pavlera, ka marrë një komision dhe ka ndarë 4 çështje në 4 komisione duke dhënë idenë se “shiko, po i jap hapësirë opozitës në parlament”.
Në fakt po t’i marrësh të gjitha çështjet që kanë qenë të grupuara, i ka ndarë veç e veç. Opozita ka një komision, pasi pjesa tjetër janë çështje të drejtuara nëpër komisione.Sot del e thotë se nga 11 komisione, 4 do t’i drejtojë opozita dhe 7 do t’i drejtojë mazhoranca, kur në fakt është totalisht e kundërta.
Kjo tregon një lloj mendësie që për hir të së vërtetës, do e fusë parlamentin në një rrugë ku i madhi flet dhe të tjerët do të duhet t’i binden atij e të heshtin.
Ajo që unë kam konstatuar dhe që mund të them, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin e për Europën, ka një natyrë të aleatëve që ka qenë një goditje e fortë dhe një ruajtje e balancës politike në vendin tonë, një lloj mungese të asaj se çfarë ndodh kryesisht në Ballkan dhe në Shqipëri.
Po e them në Shqipëri, pasi Shqipëria është më e rrezikuar në atë që po ndodh në aspektin politik të brendshëm, që padyshim ka impakt qoftë në Ballkan, Europë dhe më pas edhe për partnerët e tjerë.
Ajo që duhet theksuar është se sot, pas disa vitesh trazirash, një lloj problemi të brendshëm brenda opozitës, sot PD-ja ka arritur që të jetë ndoshta pak e tkurrur me numra parlamentar, por shumë herë më stabël sa i përket një lloj linje të drejtë të asaj se çfarë po përpiqet të prodhojë në raport me mazhorancën, por edhe në raport me qytetarët".
© SYRI.net