Deputeti demokrat Tritan Shehu, tha në Parlament se Kushtetuta jo vetëm po shkelej me ndryshimet e Rregullores nga mazhoranca, por edhe po hidhej në plehra. Ai apeloi që të mos zbatoheshin urdhrat e një kryeministri autokrat dhe të ndiqej rruga e integrimit euuropian.
“Po bëni grusht kushtetues, po shkelni kushtetutën. Ndodhi disa ditë më parë me kryeministrin, me dekretimin, nuk ecet duke shkelur kushtetutën. Nëse doni të shkoni në Europë, duket të respektojmë Kushtetutën. Mos u fshihni si struci në rërë, mos zbatoni urdhrat e autokratit, mos e shkatërroni vendin. Afatet kohore dhe çdo gjë janë vënë me principe të ndara, pavarësisht kush ka qenë e kush jo, duhet respektuar”, tha ligjvënësi i PD.
Më tej ai nënvizoi se ndryshimet kërkojnë kompromise dhe konsensus ashtu siç ka ndodhur në këto tre dekada, pavarësisht ndasive politike. Shehu kërkoi që mazhoranca të ndryshonte mendim dhe ta hiqte nga rendi i ditës kërkesën për ndryshim të rregullores.
“Pas asaj që ndodhi pas masakrës zgjedhore të 11 majit, duhet kompromisi. Janë bërë së bashku, me kompromis, po e shkelni Kushtetutën dhe po e hidhni në plehra. Nuk është Parlamenti i autokrati. Nuk shkohet në Europë kur hapen kapitujt, por kur mbyllen ato. Ka vende që kanë 30 vite i kanë hapur kapitujt dhe ku janë tani? Sepse janë kthyer në vende autokratë, ne po largohemi nga Europa, po minojmë demokracinë. Kini kujdes, kthehuni nga kjo rrugë”, përfundoi deputeti.
© SYRI.net